Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka kërkuar nga Dogana e Kosovës që ta kenë si prioritet të lartë sigurinë e lodrave dhe të ndalojnë importin e të gjitha lodrave nga tregu aziatik që nuk i plotësojnë kriteret.
Kjo vjen pasi nga 15 mostra të lodrave të cilat MTI i ka dërguar për testim në Holandë në laboratorin SGS, 12 prej tyre kanë dal të rrezikshme për përdorim.
Lajmin e ka bërë publik nëpërmjet një postimi në Facebook, vet ministri Hasani.
Ky është postimi i plotë i ministrit Haasani:
Prej 15 mostrave të lodrave të cilat i kemi dërguar për testim në Holandë, 12 prej tyre kanë dal të rrezikshme për përdorim. Ne sot kemi marrë analizat përfundimtare nga laboratori “SGS”në Holandë dhe sipas analizave këto mostra janë JO KONFORM me parametrat e përcaktuar në ligjet dhe standardet përkatëse. Menjëherë kemi kërkuar nga Dogana e Kosovës që ta kenë si prioritet të lartë sigurinë e lodrave dhe të ndalojnë importin e të gjitha lodrave nga tregu aziatik që nuk i plotësojnë kriteret.
Siç e përcakton edhe Ligjit nr. 06/L-041 Për Kërkesat Teknike për Produktet dhe Vlerësim të Konformitetit dhe Rregullorja nr.02/2017 Për Sigurinë e Lodrave, të gjitha produktet (lodra) ,të cilat importohen, duhet të jenë të shoqëruara me dosjen teknike e cila përmban:
a) Deklaratën e Konformitetit ( të lëshuar nga prodhuesi),
b) Test raporti ( i lëshuar nga një trup e certifikuar),
c) Etiketën me informatat e nevojshme për përmbajtje dhe përdorim.