Ministri i Financave Avdullah Hoti i shoqëruar nga drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, sot vizituan Zyrën Regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës në Komunën e Gjakovës ku u pritën nga menaxheri i Zyrës rajonale të ATK-së në Gjakovë Lazer Ramaja, nga i cili edhe u njoftuan për zhvillimet në ATK-së në regjionin e Gjakovës.
Ministri Avdullah Hoti u shpreh se punën të cilën po e bënë ATK-ja për edukimin e tatimpagueseve për formën dhe mënyrën e trajtimit të ligjeve është inkurajuese “dhe kjo pune e juaja po ndikon edhe në rritjen e të hyrave tatimore në buxhetin e Kosovës dhe ju përgëzoj për rezultatet e arritura”.
“Sukseset arrihen gjithmonë vetëm me punë dhe përkushtim dhe kërkoj nga zyrtarët e ATK-së që aktivitetet gjatë punës së tyre t’i zgjerojnë edhe në fushën e fiskalizimit të bizneseve si mjeti më i mirë për të luftuar ekonominë joformale në Kosovë” shtoi ministri Hoti.
Ai bëri të ditur se ATK në Gjakovë ka shënuar rezultate shumë të mira sa i përket të hyrave tatimore, ku në krahasim me vitin 2015 rritja është afërsisht 40 për qind, ndërsa në krahasim me planin është afër 20 për qind.
Dhe kjo, sipas të dhënave të menaxherit të Zyrës rajonale të ATK-së në Gjakovë Lazer Ramaja, vjen si rezultat i vetë deklarimeve të tatimpaguesve, ofrimit të shërbimeve për tatimpaguesit nga zyrtarët tatimor të regjionit të Gjakovës.