Ministri i Bujqësisë dërgon ekip në Pejë e Istog për të evidentuar dëmet nga erërat

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 16:30 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ka njoftuar se ka dërguar në komunën e Pejës dhe Istogut, ekipin e Ministrisë që të evidentojë dëmet e shkaktuara në sektorin e bujqësisë nga erërat e forta.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se do të shikohen mundësitë buxhetore, ligjore dhe operative për të përkrahur fermerët.

“Ky ekip do të monitorojë dhe vlerësojë këto dëme dhe si Ministri do të analizojmë mundësitë buxhetore, ligjore dhe operative për të përkrahur fermerët tanë drejt rimëkëmbjes sa më shpejt”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, edhe Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nesër do të vizitojë komunat e Pejës, Istogut dhe Klinës për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga erërat e forta.

Kurti përmes Facebook-ut ka thënë se qeveria është udhëzuar që të ketë vëmendjen ndaj situatës së shkaktuar.

“Qeveria është udhëzuar të ketë vëmendjen e nevojshme ndaj kësaj situate, për të vlerësuar sfidat dhe për të marrë masat e duhura, për t’iu gjendur pranë qytetarëve tanë”, ka thënë Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme