Ministri i Jashtëm Wadephul ka udhëtuar për në Izrael. Është vizita e tij e parë në rajon që nga fillimi i sulmeve të SHBA e Izraelit kundër Iranit.
Nëntë persona u vranë dhe më shumë se 50 u plagosën në një lagje banimi të Beit Shemesh në Jeruzalem. Disa shtëpi u shkatërruan pothuajse plotësisht. Deri sot, 13 persona kanë vdekur në Izrael si pasojë e sulmeve me raketa.
Së bashku me homologun e tij izraelit, Gideon Saar, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul vizitoi vendin pranë Jeruzalemit, ku një raketë iraniane goditi javën e kaluar.
Duke qëndruar mes rrënojave, Wadephul-u u prek thellë ndërsa dy gra rrëfyen se si kishin vdekur në sulm të afërmit e tyre. Në Beit Shemesh, një grua me emrin Smadar raportoi sulmin me raketa balistike, në të cilin shtëpia e saj u shkatërrua dhe një strehë u godit plotësisht. Ajo arriti të shpëtonte fëmijët e saj, por i shoqi u vra në sulm. Ajo i përshkroi momentet e sulmit: “Gjithçka ra mbi ne. Ishte errësirë, nuk merrnim dot frymë.” Sulmi jo vetëm që shkatërroi shtëpinë e saj, por edhe të gjitha kujtimet e saj. “Gjithçka është zhdukur, kujtimet, fotot, gjithçka është djegur.”
Një numër i përgjithshëm prej 13 vetësh kanë vdekur në Izrael deri tani si pasojë e sulmeve të vazhdueshme me raketa, kryesisht nga Irani. Ministria izraelite e Shëndetësisë raportoi gjithashtu se më shumë se 2.300 persona janë trajtuar në spitale. Kjo thuhet se përfshin jo vetëm ata që janë plagosur nga sulmet me raketa, por edhe shumë njerëz të plagosur gjatë rrugës për në strehimore. Ka gjithashtu raportime për njerëz që po trajtohen për ankthin e shkaktuar nga sulmet.
Udhëtim me masa të shtuara sigurie
Wadephul-i është përfaqësuesi i parë i një qeverie perëndimore që viziton rajonin e shkatërruar nga lufta, që kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara sulmuan Iranin dhjetë ditë më parë. Është një udhëtim me masa paraprake të shtuara sigurie për shkak të sulmeve të vazhdueshme me raketa dhe dronë kundër Izraelit.
Delegacioni gjerman nuk fluturoi me një avion të rregullt qeveritar, por me një Airbus A400M, avionin e fuqishëm transportues të Forcave të Armatosura Gjermane.
Pyetje në lidhje me kohëzgjatjen e luftës
Në Ministrinë e Jashtme izraelite në Jeruzalem, ministrat diskutuan situatën në rajon. Një nga objektivat e Wadephul-it mendohet se është të përcaktojë se sa synojnë të vazhdojnë sulmet e tyre kundër Iranit Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara dhe si e parashikojnë ata të ardhmen pas përfundimit të luftës.
Në parim, qeveria gjermane i justifikoi sulmet kundër regjimit iranian. Megjithatë, kancelari Friedrich Merz deklaroi së fundmi: “Një luftë e pafundme nuk është në interesin tonë.”/DW/