Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar parkingun e madh për 400 vetura në QKUK, raporton Ekonomia Online.
“Sot kemi ardhur ta hapim parkingun në QKUK, një nevojë dhe një kërkesë e madhe e familjarëve të pacientëve dhe shumë pacientëve të cilët kur kanë ardhur këtu nuk kanë gjetur vende dhe është dashur të parkojnë në trotuar, e po ashtu, të pengojnë edhe shumë shërbime tjera të nevojshme”, ka thënë ministri Ismaili.
Ai tha se me krijimin e këtij parkingu po krijojmë mundësi që veturat të cilat kanë qenë nëpër trotuare, të cilat kanë penguar këmbësorët, kanë penguar ambulancat, një herë e përgjithmonë të largohen nga atje dhe të vendosen në një vend të dedikuar për vetura siç është ky tani.
Drejtori e SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se pacientët tani do ta kenë më të lehtë marrjen e shërbimeve.
“Pra jemi ne hapjen e parkingut sepse këtu vërtet frekuentojnë pacientët dhe ata që të vijnë do ta kenë më të lehtë në marrjen e shërbimeve. Është një investim që paslufte nuk ka ndodh në një hapësirë kaq te madhe dhe do të ndihmojë shume në hapësirën universitare”, tha ai.