Nën udhëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, është mbajtur takimi i radhës i Këshillit ndërministror për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo.
Në hapjen e këtij takimi, Ministri Ismaili tha se takimi i Këshillit mbahet me qëllim të përgatitjeve sa më të mira për ballafaqim me ethet homorragjike për të zvogëluar sa më shumë sëmundshmëria nga ethet hemorragjike që shkaktohen si pasojë e pickimit dhe infektimit nga rriqrat.
“Ne po bëjmë të gjitha parapërgatitjet që të jemi të gatshëm të reagojmë, sidomos në zonat endemike që njihen si më të ekspozuara, më të prekura nga kjo sëmundje: Zona e Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Klinës, por edhe kudo tjetër që paraqitet nevoja”, theksoi Ministri Ismaili.
Ministri Ismaili shtoi se si trup operativ duhet të përgatitemi që të mos lejojmë që virusi ARN, i cili shkakton Ethet Hemorragjike Krime Kongo, të jetë vdekjeprurës, ashtu si në vitin 2013, kur kishim 11 (njëmbëdhjetë) viktima apo vite tjera para këtij viti, por të vazhdojmë me rezultate të viteve pas 2013-ës, ku kemi zero vdekje dhe rënie të numrit të qytetarëve që preken nga rriqrat.
Ai tha se trendin që nuk ka pasur asnjë rast vdekjeje prej 2014 nga Ethet Hemorragjike Krime Kongo dhe të uljes së numrit të pickimeve nga rriqrat duhet ta vazhdojmë edhe këtë vit edhe secilin vit.
Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, tha se në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera do të zbatohen aktivitetet e Planit operacional me qëllim të parandalimit dhe luftimit të EHCC.
Isuf Cikaqi nga Ministria e Buqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tregoi se tashmë mbi 4 mijë hektarë janë dezinesktuar ndërkohë së bashku me komunën e Malishevës do të përcaktojnë edhe zonat tjera që të vazhdohet me dezinsektim.
Ndërkohë, në katër komunat që zakonisht janë më të prekura nga pickimi i rriqrave, Malishevë, Suharekë, Rahovec dhe Klinë, më 25 prill do të vazhdoj edhe procesi i repelimit të kafshëve, që do të ndikoj në zvogëlimin e rasteve të prekura.