Qeveria kroate ka thënë se rreth 42 miliardë kuna ose 6 miliardë dollarë dëme janë shkaktuar nga tërmeti që e goditi Zagrebin muajin e kaluar dhe se vendi do të kërkojë ndihmë të jashtme për rindërtim.
Një person kishte vdekur dhe 27 të tjerë ishin lënduar nga tërmeti me fuqi prej 5.3 shkallëve të Rihterit që kishte ndodhur më 22 mars. Shumë persona u detyruan t’i braktisin shtëpitë dhe banesat për shkak të dëmtimit të ndërtesave, shkruan “Reuters”.
“Ekspertët tanë, të cilët janë këshilluar edhe me kolegë të huaj, vlerësojnë se dëmi është rreth 42 miliardë kuna. Çështja më urgjente është riparimi i oxhaqeve, rrjetin e ujit dhe të ngrohjes në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre”, tha ministri i ndërtimit dhe planifikimit urban, Predrag Stromar.
Ky ministër shtoi se pas këtyre punëve do të riparohen spitalet dhe shkollat e dëmtuara. “Do të kërkojmë ndihmë edhe nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore. E kemi planifikuar edhe një konferencë të donatorëve”, tha ai.
Ministri kroat i financave, Zdravko Mariq, tha këtë muaj se Kroacisë gjithashtu i nevojiten deri në 9.2 miliardë euro në muajt e ardhshëm për ta luftuar efektin negativ ekonomik të koronavirusit.