Me marrëveshjen mbi kufirin e Malit të Zi dhe Kosovës ekzistojnë mundësitë që të përcaktohen disa korrigjime teknike të linjës së kufirit, por nuk ka ndonjë ndryshim të veçantë, tha shefi i diplomacisë malazeze, Srgjan Darmanoviq.
I pyetur nëse do të ndryshohen kufijtë me Kosovën pas zbatimit të kësaj marrëveshje, Darmanoviq tha se deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviçit konfirmon atë që ekziston me kohë në Marrëveshje, e ky është Neni 7.
“Për këtë arsye, nuk ka kurrfarë ndryshime të veçanta”, tha Darmanoviq para gazetarëve ndërsa kishte përfunduar takimin me homologun e tij sllovak, Ivan Korçak, duke sqaruar se sipas Nenit 7, pasi që të dy palët ratifikojnë marrëveshjen për kufirin, Komisioni duhet të dalë në terren dhe të kryej delimitimin.
Darmanoviq me këtë rast tha, se ekziston mundësia që disa korrigjime të vërtetohen metër për metër, dhe këtë e kemi ditur me kohë.
“Marrëveshja për kufirin duhet të ratifikohet, e këtu bëhet fjalë për korrigjime eventuale teknike që nuk sjellin kurrfarë rezultati negativ për asnjërën prej palëve në procesin negociator,” tha Darmanoviq, duke shtuar se me këtë veprim, autoritetet malazeze i kanë bindur edhe më shumë miqtë në Kosovë, se Mali i Zi në tërësi i qëndron besnik kësaj Marrëveshjeje.
“Shpresojmë që institucionet kosovare do të gjejnë rrugën që të ratifikojnë Marrëveshjen me shumicë të cilësuar, për të mirën e marrëdhënieve dhe vetë Kosovës”, përfundoi Darmanoviq.
Presidentët e Malit të Zi dhe Kosovës, Filip Vujanoviq dhe Hashim Thaçi, kanë firmosur të premten deklaratën e përbashkët me të cilën i bëjnë thirrje Parlamentit të Kosovës që të ratifikoj Marrëveshjen për kufirin shtetëror i cili është firmosur në Vjenë, më 26 gusht të vitit 2015.