Ministri Mehaj përcjellë nga afër aktivitetet trajnuese të Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë

Prishtinë | 22 Pri 2021 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Në vazhdën e vizitave në njësitë e FSK-së, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj vizitoi sot Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, me qëllim të informimit nga afër me të arriturat, zhvillimet, aktivitetet dhe sfidat e saj.

Në kazermën “Minatori” në Mitrovicë, ministrin Mehaj, i shoqëruar nga zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi dhe komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, e priti zëvendëskomandanti i Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, Major Ilir Beqiri. Me takim dhe prezantim të veçantë, Major Beqiri njoftoi Ministrin Mehaj me informacionet e përgjithshme për strukturën organizative dhe operacionale, të arriturat e deritashme si dhe planet e njësisë për të ardhmen.

Për t’u njohur me procesin e integrimit të pjestarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në këtë njësi, ministri Mehaj takoi disa nga ta. Në këtë takim, në formë bashkëbisedimi u diskutua për çështjet që ndikojnë në procesin integrues në FSK. Në vazhdim, Ministri Mehaj vizitoi poligonet e stërvitjes taktike në Cërrnushë për të përcjellë nga afër demonstrimin e aktiviteteve trajnuese sipas planit paraprak të njësisë në operacione sulmuese të këmbësorisë, inxhinierisë luftarake si dhe operacione urbane. Sikur në takim me stafin komando-shtabor të regjimentit, ashtu edhe me efektivët e angazhuar në aktivitetet trajnuese, ministri Mehaj shprehu vlerësimin e lartë për punën, disiplinën dhe profesionalizmin e lartë duke siguruar se me përvojën e tij profesionale dhe autoritetin e ministrit të Mbrojtjes do të intensifikoj veprimet për rrugëtimin e suksesshëm të FSK-së përpara.

Pjesëtarëve të Regjimentit të Tretë ju drejtua edhe gjeneral Hadërgjonaj, në prag të përfundimit të karrierës së tij aktive ushtarake, duke shprehur impresionet e thella  që si komandant i Forcave Tokësore ka drejtuar e komanduar ushtarakë e ushtarake të nivelit të shkëlqyer. Vizitën e ministrit Mehaj, stafi komandues i njësisë,  e vlerësuan lartë si mbështetje të madhe në funksion të motivimit të duhur të pjesëtarëve të FSK-së për punë të suksesshme edhe në të ardhmen.


Të ngjashme