Në kuadër të takimeve me homologët e vendeve partnere, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me nderime të larta ushtarake, priti në vizitë zyrtare Ministrin e Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, me delegacionin e tij. Fillimisht, të dy ministrat mbajtën takime tête-à-tête, për të vazhduar në nivel të dy delegacioneve.
Më pas, të dy ministrat mbajtën konferencë për media, ku me këtë rast, në fjalën e tij, Ministri Mehaj i shprehu mirëseardhje homologut italian, duke theksuar se shteti i Italisë është mik e partner shumë i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjithashtu, Ministri Mehaj shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e trupave ushtarake italiane gjatë gjithë periudhës 23 vjeçare në kuadër të KFOR-it, kontribut i cili po vazhdon edhe tani.
Gjatë kësaj vizitë, Ministri Mehaj e njoftoi Ministrin Crosetto me proceset zhvillimore nëpër të cilat po kalon Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, duke vërë theksin se të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së i atribuohen edhe mbështetjes së shumanshme të Ministrisë dhe forcave partnere italiane.
“Partneriteti ynë përmes bashkëpunimit bilateral tashmë është forcuar edhe më tej me aktivitete të shumta gjatë këtij viti, e të shtuara edhe më shumë për vitin e ardhshëm, përmes planit të përbashkët ushtarak 2023”, tha Ministri Mehaj në këtë konferencë, duke shtuar se përvoja politike dhe ushtarake e Italisë, si vend anëtar shumë i rëndësishëm i NATO-s dhe standardet e forcave të saj, janë me rëndësi të madhe për zhvillimin e forcave tona me kapacitete të ndërveprueshme për operacione të përbashkëta në shërbim të mbrojtjes së paqes, lirisë dhe demokracisë kudo në botë.
Nga ana e tij, Ministri Crosetto, para mediave vendore edhe atyre italiane, theksoi se kjo vizitë konfirmon rëndësinë e madhe që ka Ballkani Perëndimor dhe Kosova, si vend i rëndësishëm i rajonit, duke përmendur angazhimin mbi 20 vjeçar të kontingjentit të trupave ushtarake në kuadër të KFOR-it. Ndër të tjera, ai shprehu falënderimin për miqësinë dhe mikpritjen e Kosovës për trupat italiane, si dhe mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës ndaj krizës në Ukrainë.
Në fund, Ministri Crosetto shprehu gatishmërinë për mbështetjen e vendit tonë në proceset zhvillimore të MM-së dhe FSK-së, si dhe ato integruese në NATO dhe BE.
Vizita e Ministrit italian të mbrojtjes vuri në pah edhe një herë interesimin e të dy vendeve për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e interesit të përbashkët në funksion të sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.