Organizuar nga Ministria e Diasporës, përkatësisht nga Qendra Kulturore në Zvicër, në Cyrih u mbajt ekspozita homazh me portretet e 64 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Në këtë ngjarje, në emër të institucioneve të Kosovës, ministri i Diasporës, Valon Murati, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për kontributin e dhënë nga diaspora në të gjitha periudhat e zhvillimit të ngjarjeve në atdhe.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës, Shukrije Ramadani, lexoi emrat e të gjithë dëshmorëve të evidentuar.
Në fund, ministri Murati, bashkë me ambasadoren e Kosovës në Bernë, Nazane Breca, ndanë mirënjohje për aktivistë nga fusha të ndryshme që dhanë kontribut të veçantë në komunitet, sidomos në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës së Kosovës në Zvicër.
Ministri i Diasporës, gjithashtu mori pjesë në konferencën e organizuar nga Kuvendi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër, në të cilën u diskutua për gjendjen e mësimit plotësues në Zvicër.
Ministri Murati, konstatoi se gjendja e mësimit plotësues në Zvicër, sikur edhe në pjesën tjetër të diasporës, është e rëndë.
Me këtë rast, ai garantoi vazhdimin e mbështetjes nga Ministria e Diasporës, si në aspektin e furnizimit me libra falas, ashtu edhe përmes vazhdimit të organizimit të aktiviteteve të ndryshme për fëmijët nga diaspora, në diasporë dhe atdhe. Ai kërkoi nga LAPSh-ja që ta zgjerojë bashkëpunimin me të gjithë faktorët relevantë që mund të japin kontribut në këtë drejtim.
Gjatë qëndrimit në Cyrih, Murati u takua edhe me kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Naser Mustafa, dhe me nënkryetarin e këtij rrjeti, Qamil Isufi.
Në këtë takim u bisedua për nevojën e avancimit të organizimit të rrjeteve të bizneseve shqiptare në diasporë, në një nivel tjetër.
Po ashtu, ministri vizitoi edhe dy biznese shumë të suksesshme të diasporës sonë: Munishiküchen GMBH dhe Sprenger Verzeugbau Ag, me pronarët e të cilëve diskutoi për ecurinë e zhvillimit të bizneseve të tyre dhe të diasporës sonë në përgjithësi, si dhe bashkëpunimin e tyre me vendin tonë.