Ministri Peci: Bashkëpunimi me komunat prioritet për zhvillimin e bujqësisë

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë vizitës që e zhvilloi sot në Komunën e Podujevës është takuar me kryetarin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, me ç’rast kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja institucioneve për avancimin e sektorit të bujqësisë në këtë rajon.

Ministri Faton Peci, ka theksuar se bashkëpunimi mes nivelit qendror dhe atij lokal është i domosdoshëm në shumë sfera e sidomos gjatë shpalljeve të programeve mbështetëse të MBPZhR-së.

“Thellimi i bashkëpunimit është tejet i rëndësishëm gjatë periudhës kur përgatitemi për shpalljen e thirrjeve për aplikim për subvencione dhe grante, me qëllim  të rritjes së kontrollit dhe transparencës duke minimizuar keqpërdorimet. Po ashtu, për hartim të duhur të politikave zhvillimore është e nevojshme që të kemi edhe të dhëna të sakta nga drejtoria përkatëse në Komunë, në mënyrë që t’i identifikojmë saktësisht sipërfaqet e mbjellura me kultura bujqësore”, ka thënë Ministri Peci.

Gjatë këtij takimi, Ministri i ka shprehur kryetarit Bulliqi vullnetin e tij për intensifikim të bashkëpunimit, qoftë për investimet në sektorin e pylltarisë, zhvillimit rural dhe në projektet për sistemin e ujitjes. Në këtë mënyrë, ai ka vlerësuar se të dyja institucionet mund t’i bashkërendojnë aktivitetet, lehtësojnë procesin e zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe njëherit theksoi se i hapin edhe rrugët për investime të reja.



Fjalë Kryesore:

Të ngjashme