Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica ka pritur sot në takim përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Stephanie Eble, me të cilët diskutoi rreth reformave të ndërmarra nga MPMS në fusha si ajo pensionale, sociale dhe fusha e punësimit.
Ministri i njoftoi përfaqësuesit e FMN-së për reformën pensionale të ndërmarrë nga MPMS ku tha se fokusi do të jetë te reforma në aspektin ligjor, duke marrë parasysh pabarazinë në ligjet aktuale.
“Qëllimi është që të kemi një sistem pensional që do ti bëjë ballë kohës. Deri në fund të vitit do ta kemi koncept dokumentin për reformat pensionale”, tha ministri Reçica.
Ministri i njoftoi të pranishmit edhe rreth reformës së skemave sociale ku tregoi se MPMS po punon në krijimin e një ligji gjithëpërfshirës për persona me aftësi të kufizuara, krahas përpjekjeve tjera konkrete.
Temë diskutimi në mes të ministrit dhe përfaqësuesve të FMN-së ishin edhe politikat e MPMS-së për tregun e punës dhe rritjen e punësimit.
“Ne kemi miratuar në Qeveri Strategjinë Sektoriale të MPMS-së dhe Planin e Veprimit për Punësimin e të Rinjve. Janë këto dy dokumente strategjike të cilat tashmë kemi filluar ti jetësojmë në praktikë.”, tha ministri.
Ministri falënderoi FMN-në për përkrahjen ndërkaq nga përfaqësuesit e këtij Fondi mori mbështetje për reformat e ndërmarra nga MPMS në fushat e lartcekura.