Ngritja e taksave për mallrat e Serbisë dhe ato të Bosnjës për 10 për qin para dy javësh, duket se ka ndikuar në tregtinë e shtetit serb.
Këtë e ka pranuar vet ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, duke thënë se gjatë këtyre pak ditëve të para të ngritjes së masës, tregtia serbe ka rënë për rreth 3.6 milionë euro në krahasim me periudhën e njëjtë një muaj më parë.
“Kosova i imponoi masat më 6 nëntor dhe nga atëherë e 8 ditë më pas, deri më 14 nëntor, për në Kosovë është nisur mall në vlerë prej 6,4 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë gjatë muajit tetor, vlera e mallrave të Serbisë të shitura në Kosovë ka qenë 10 milionë euro”, ka thënë Lajiqi për “Danas”.
Lajiq, po ashtu, ka thënë se në Serbi pothuajse nuk hyn asnjë produkt nga Kosova, kurse tregoi se tregtarët serbë pas kësaj mase po presin se çfarë do të ndodhë.
Po ashtu ministri serb ka paralajmëruar se ai nuk do të merrë pjesë në konferencën ministrore të muajit dhjetor të CEFTA’s nëse deri atëherë Kosova nuk tërhiqet nga vendimi.