Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë sot se ushtria serbe është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë.
“Ushtria është gati për të përmbushur ndonjë urdhër të presidentit, Aleksandar Vuçiq, i cili është komandanti suprem i forcave të armatosura, për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë”, tha Vulin për televizionin publik serb RTS.
“Ne i kemi përmbushur të gjitha parakushtet, dhe a do apo nuk do të ndërhyjmë, kjo është çështje e udhëheqjes së shtetit”, theksoi Vulin.
Vulin deklaroi kështu lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, e cila ka vendosur taksë 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, dhe pas aksionit gjatë të cilit u arrestuan 4 të dyshuar në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Ministri serb i Mbrojtjes tha se shteti i Serbisë do të jetë në gjendje t’i ndihmojë serbët e Kosovës në rast se atyre u rrezikohet jeta, raporton RTS.