Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, kryetarin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Sahit Sylejmani, si dhe kryetarin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, z. Petrit Gashi.
Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i veprimeve të përbashkëta në lidhje me sigurimin e funksionimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme me rastin e përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe përshpejtimin e punës së kësaj gjykate.
Ministri Tahiri potencoi se puna e kësaj gjykate ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e procesit të privatizimit e sidomos te shpërndarja e fondeve në mirëbesim te punëtorët dhe kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore si dhe bartja e mjeteve të mbetura te buxheti i Republikës së Kosovës.
“Është e papranueshme që për shkak të resurseve të pakta dhe dinamikës së ulët të punës së kësaj gjykate, punëtorët dhe kreditorët të presin me vite të tëra për të marrë hisen e tyre të ligjshme nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Ministria e Drejtësisë është e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda mandatit të saj që të sigurohemi se po zbatohen parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një gjykim brenda një intervali të arsyeshëm kohor”, theksoi ministri Tahiri.
Në takim është theksuar përkushtimi i përbashkët për të punuar në sigurimin e vazhdimësisë së punës së rregullt në gjykatë, sidomos pas përfundimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë.