Ministri Tahiri shpalosi në ShBA ndryshimet dhe reformat që janë ndërrmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit

Prishtinë | 02 Nën 2018 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka zhvilluar një takim me Asistentin e Administratorit të Përgjithshëm të USAID-it, njëherit udhëheqës i Zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman.

Ministri Tahiri ka falënderuar Bierman për mbështetjen e USAID-it në avancimin e infrastrukturës ligjore si dhe ka shpalosur ndryshimet dhe reformat që janë ndërrmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e qasjes në drejtësi si dhe agjendën legjislative që ka për qëllim forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës.

Ministri Tahiri ka vlerësuar lartë kontributin e USAID-it si partner i rëndësishëm për fushën e sundimit të ligjit, veçmas në avancimin e parimeve ligjore që mundësojnë një qasje të drejtë dhe të barabartë të qytetarëve në të drejtat e tyre dhe në shërbime efikase ligjore.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat e ndërrmarra në fushën e të drejtave pronësore, agjendën “Drejtësia 2020” si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës USAID-i është duke mbështetur në veçanti shtyllën e Drejtësisë Komerciale.

Ministri Tahiri ka mirëpritur gatishmërine e USAID-it për të vazhduar mbështetjen e mëtejme në sektorin e sundimit të ligjit përmes plotësimit dhe përmirësimit të qasjeve legjislative dhe strukturore si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale si një shtyllë e rëndësishme e drejtësisë që lehtëson të bërit biznes dhe nxit investimet e huaja në Republikën e Kosovës.

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (USAID) është duke ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë në një numër të konsiderueshëm projektesh dhe duke mundësuar zbatimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në vazhdimësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme