Ministria e Drejtësisë thotë se po ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet sa i përket hetimit dhe sqarimit të rrethanave në të cilat humbi jetën i paraburgosuri Astrit Dehari.
“Me qëllim të garantimit të transparencës, në sqarimin e rrethanave të vdekjes së të ndjerit, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin se me vendim të Prokurorisë, është lejuar përfshirja e ekspertit të kërkuar nga familjarët e të ndjerit A.D., në cilësinë e vëzhguesit në procesin e autopsisë”, thuhet në njoftimin e MD-së, transmeton Telegrafi.
“Aktualisht, ekipi i mjekëve ligjorë mbetet në pritje të propozimit të emrit të ekspertit nga familjarët e të ndjerit, në mënyrë që të fillojë sa më parë autopsia dhe të sqarohen zyrtarisht shkaqet e vdekjes”.
Ministria e Drejtësisë kërkon nga të gjitha institucionet e përfshira, në veçanti Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, që procesi të zhvillohet me transparencë të plotë dhe siguron familjarët dhe opinionin se do të ndërmarr të gjitha masat që janë në mandatin e Ministrisë për të siguruar transparencë në këtë proces.
“Deri në marrjen e raportit zyrtar, Ministria e Drejtësisë mbështet mjekët ligjorë për fillimin sa më të shpejtë të obduksionit në përbërjen e kërkuar nga familja e të ndjerit dhe fton të gjithë qytetarët dhe partitë politike që të përmbahen nga paragjykimet lidhur me rastin”, thuhet në komunikatë.