Avokatja Shtetërore, Nexhmije Karaqi nuk është e arrestuarja në rastin e aksionit kundër korrupsionit që ndodhi pasditen e së enjtes nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe AKI-ja. E këtë përveç vetë asaj e ka demantuar edhe Ministria e Drejtësisë, që përmes një shkrimi kanë bërë thirrje që lajmi i publikuar se jo është arrestuar të fshihet dhe njëkohësisht të publikohet demanti.
“Në lidhje me raportimet e publikuara nga disa media në Kosovë, të cilat kanë informuar për një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin publik lidhur me një informacion të pasaktë që është shpërndarë për avokaten shtetërore Nexhmije Karaqi. Disa media kanë raportuar gabimisht se në kuadër të këtij aksioni është arrestuar edhe avokatja Karaqi pjesë e Avokaturës Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Ky informacion është plotësisht i pavërtetë, i pabazuar dhe i pa konfirmuar nga vetë mediat. Pra bëhet fjalë për një identifikim të gabuar, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme pa pasur konfirmim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë”, thuhet mes tjerash në reagim.
Ata thonë se e njëjta as nuk është arrestuar, as ndaluar e as intervistuar, dhe se cdo përpjekje për ta lidhur emrin e saj me këtë aksion përbën dezinformim.
“Avokatja Karaqi nuk është arrestuar, nuk është ndaluar, nuk është intervistuar dhe nuk është subjekt i asnjë procedure nga organet e drejtësisë dhe çdo përpjekje për ta lidhur emrin e saj me këtë aksion përbën dezinformim dhe raportim të pasaktë. Publikimi i emrit dhe fotografive i avokates Karaqi pa konfirmim zyrtar përbënë cenim të reputacionit, shkelje të së drejtës së personalitetit, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin civil në fuqi. Raportimet e tilla jo të sakta po ashtu krijojnë konfuzion te publiku dhe dëmtojnë besimin në institucione dhe në informimin e drejtë. Kërkojmë nga të gjitha mediat që kanë publikuar këtë informacion të pasaktë që të bëjnë korrigjimin e menjëhershëm të lajmit, të tërheqin emrin e avokates Karaqi nga raportimet e tyre dhe të publikojnë këtë demant, ashtu siç është publikuar edhe lajmi fillestar. Ministria e Drejtësisë rithekson përkushtimin e saj për transparencë dhe informim të saktë të opinionit publik”, përfundon komunikata.