Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media ka dhënë disa sqarime rreth hapjes së konkursit për noterë të rinj.
MD thotë se konkursi ende nuk mund të hapet, për shkak se vendimi për anulimin e provimit të noterisë është ende në Gjykatë.
“Për shkak të kërkesave të mëdha që kemi pranuar lidhur me hapjen e konkursit për noterë të rinj, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se përderisa Vendimin mbi anulimin e provimit të noterisë, palët e pakënaqura e kanë kontestuar në Gjykatë, pa përfunduar ky proces Ministria e Drejtësisë, edhe përkundër vullnetit për të hapur konkurs sa më parë, një gjë e tillë aktualisht është e pamundur.
Ministria e Drejtësisë nuk ka informacione se në çfarë faze të trajtimit janë këto lëndë, por apelojmë që gjykata të veprojë sa më parë. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për nevojat e qytetarëve por edhe për të ndaluar monopolin dhe për të qenë në përputhje me ligjin për noterinë”, thuhet në njoftim.
MD bën të ditur se aktualisht janë 57 noterë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa në 15 komuna nuk ka noterë.
“Në këto komuna Ministria e Drejtësisë ka caktuar ushtrues detyre të noterit me qëllim të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës. Shumë prej qytetarëve janë ankuar për shkak të distancës fizike me noterët që ushtrojnë detyrën për komunat përkatëse por kjo është e vetmja zgjidhje që kemi për momentin”, vijon njoftimi.