Ministria e Financave: Punëtorët e sektorit privat do të kompensohen nga 170 euro për dy muajt në vijim

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 15:08 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka propozuar një pako emergjente në situatën e krijuar për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Bislimi ka propozuar një pako 13 pikëshe ku ndër të tjera ka theksuar se fokusi do të jetë tek përfituesit e skemave pensionale, bizneset dhe punëtorët që janë prekur nga kjo situatë.

Ai njoftoi se personat që përfitojnë nga skema pensionale nën 100 euro do t’i kenë edhe 30 euro më shumë (nëse nuk janë përfitues të ndonjë skeme tjetër).

Bislimi ka thënë se Qeveria do t’i mbulojë pagat e punëtorëve të kompanive private për dy muajt në vazhdim në vlerën e pagës minimale prej 170 eurosh.

“Mbulimin e shpenzimeve për paga për ata që janë afektuar në masën e pagës minimale prej 170 euro për dy muaj në vijim, maksimumi i mjeteve të alokuara në këtë masë janë 41 milionë euro”.

“Qeveria do të marrë përsipër edhe subvencionimin e qirasë deri në maksimumin e masës deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për dy muajt e ardhshëm. Për punëtorët e ndikuar nga pika 1, që marrin atë pagën shtesë nga qeveria prej 170, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm”, ka thënë Bislimi, para medieve.

Do të ketë edhe fonde shtesë për komunat e prekura nga Coronavirusi, po ashtu edhe për Ministrinë e Bujqësisë dhe atë të Kulturës.

Bislimi ka thënë se masat e marra për mbrojtje nga Coronavirusi e kanë penguar prodhimin dhe ka rënie të aktivitetit ekonomik në tri kategori, te qytetarët, komuniteti i biznesit dhe buxheti i shtetit.

“Kapaciteti është shumë i kufizuar dhe borxhi është i lartë për shkak të pa pagesave. Masat e Qeverisë edhe në aktivitetin ekonomik janë reflektuar me një automatizëm edhe te të hyrat doganore dhe tatimore nga 7.5 deri në 12.5%. Mund të ketë 200 milionë euro më pak të hyra”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në kuadër të pakos së masave emergjente që ka përgatitur MF-ja është përgatitur një raporti mbi gjendjen e ekonomisë pas përhapjes së pandemisë.

Bislimi ka thënë se synim nuk është kompensimi i të gjitha dëmeve, por minimizimi i tyre.

Mjekët, policët dhe zjarrfikësit shpërblehen me nga 300 euro për dy muajt e ardhshëm

Në pakon e propozuar, ndër 13 masat ekonomike është dhe shpërblimi me nga 300 euro për dy muajt e ardhshëm për mjekët e punëtorët e tjerë shëndetësorë, policëve dhe zjarrfikësve për kontributin në këtë kohë të pandemisë.

“Stafi mjekësor, policëve dhe zjarrfikësve. Qeveria e Republikës së Kosovës në bazë të këtij propozimi për këto kategori të nëpunësve publikë do të ndante një shpërblim shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin në dy muajt në vijim. Pa marrë parasysh nivelin e pagës, gradës secili përfiton prej 300 euro për dy muaj në vijim”, shpjegoi Bislimi.

Propozimi pritet të votohet në mbledhjen e Qeverisë.

MË POSHTË GJENI KOMPOZIMIN E PAKOS EMERGJENTE TË QEVERISË:

1. Fokusi i parë i masave të qeverisë shkon drejt përfituesve të skemave sociale, të cilët me shumë vështirësi sigurojnë mbijetesën dhe kryesisht janë të përfshirë në grupin e shoqërisë që përballen me varfëri ekstreme. Në muajin mars, diku 98.100 qytetarë të vendit të përfshirë në këtë skemë, kanë marrë një asistencë shtesë mujore, që në tërësi kap vlerën e 2.55 milionë euro. Ngjashëm do të veprohet edhe në dy muajt në vijim, duke e ngritur vlerën e intervenimit në 7.6 milionë euro.

2. Një numër i madh i përfituesve të skemave pensionale, përfitojnë në baza mujore më pak se 100 euro. Për të gjithë këta përfitues, qeveria e Republikës së Kosovës, në 3 muajt në vijim do të ndaj 30 euro shtesë në baza mujore. Në këtë grup hyjnë kryesisht përfituesit e skemës së pensioneve bazike, pensionet për persona me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare (të gjitha këto kategori përfitojnë nga ky vendim, vetëm nëse nuk janë njëkohësisht pjesë e më shumë se një skeme pensionale nga e cila marrin të hyra të rregullta). Po ashtu do të përfshihen përkohësisht në skema dhe do të përfitojnë të gjithë ata të cilët nuk kanë arritur të rinovojnë pretendimet e tyre në dy muajt e parë të vitit 2020. Kjo nënkupton në total 13 milionë euro shtesë.

3. Një numër i kompanive të vendit ka shënuar rënie të të hyrave nga ushtrimi i veprimtarisë në dy javët e fundit, dhe një trend i tillë pritet të vazhdojë edhe në muajin prill. Si rrjedhojë, punëdhënësit pritet të kenë vështirësi në mbulimin e një sërë shpenzimesh. Disa nga shpenzimet e pritshme dhe me rëndësi në bilancet e kompanive përbëjnë shlyerjen e obligimeve tatimore dhe detyrimeve ndaj sistemit bankar. Me vendime të Qeverisë dhe Bankës Qendrore, këto shpenzime janë shtyrë për një periudhë të caktuar kohore. Por mbeten ende si barrë shpenzimet për paga dhe ato për qera, në rastet kur operatorët ekonomik veprojnë në objekte që nuk i kanë në pronësi. Qeveria e Kosovës do të mbështetë me pakon emergjente, komunitetin e biznesit më së shumti në këto dy komponente. Për ato kompani që kanë shënuar rënie të veprimtarisë së tyre si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të mbajnë stafin e tyre në shtëpi, qeveria ka vendosur që të asistojë me këto tri ndërhyrje:

a. Mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove;

b. Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove;

c. Për punëtorët e ndikuar dhe që përfitojnë nga pika “a”, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm, në masën e 8 milionë eurove.

4. Kompanitë që kanë shënuar rënie të përkohshme të të hyrave të rregullta si rezultat i kufizimeve në lirinë e lëvizjes, pezullimit të ofrimit të disa shërbimeve nga sektori publik apo deklarimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve qeveritar (kryesisht, por jo vetëm, ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbimet komunale apo ndërmarrjet në pronësi private por që ofrojnë shërbime bazike), mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të operimit, por jo më larg se deri në fund të dhjetorit të vitit 2020. Në këtë masë, qeveria alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor.

5. Në përballjen me pandeminë, një barrë e madhe organizative ka rënë edhe mbi pushtetin lokal. Në masë të madhe, komunat kanë akomoduar nevojën e intervenimeve shtesë dhe emergjente, përmes përshtatjeve të brendshme buxhetore dhe zvogëlimit të mjeteve të dedikuara për shpenzime kapitale. Në rast të zgjatjes së mëtejme të kufizimeve në lirinë e lëvizjes dhe zgjerimit eventual të kufizimeve, komunat do të kenë nevojë për mbështetje shtesë financiare. Në këtë kontekst, Qeveria do të sigurojë financim shtesë për komunat më të prekura në masën e 10 milionë eurove.

6. Secili nga ne është përpjekur që duke respektuar vendimet e qeverisë të ndihmojë në minimizimin e ndikimit nga virusi Corona. Megjithatë, pa asnjë dyshim, në front të parë të përpjekjeve tona janë stafi mjekësor dhe ai i policisë e zjarrfikësve. Secili nga ne e vlerëson në maksimum angazhimin e tyre të pashembullt, kurse Qeveria e Republikës së Kosovës për këto kategori të nëpunësve publik do të ndajë një shpërblim shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin nga dy muajt në vijim. Për këtë qëllim do të ndahen 15 milionë euro.

7. Përkundër faktit që masat e qeverisë për mbajtjen e distancës fizike kanë synuar parandalimin e shpërndarjes së infeksionit, kanë qenë punëmarrësit e marketeve ushqimore, furrave dhe farmacive që kanë punuar rregullisht duke siguruar furnizim të amvisërive me nevojat ushqimore dhe shëndetësore. Për të gjithë këta punonjës, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndaj nga një pagesë shtesë në masën e 100 eurove për dy muajt në vijim. Për këtë masë do të ndahen 3 milionë euro.

8. Qeveria e Kosovës, në fazën e dytë të intervenimit në ekonomi do të përdorë stimuj fiskalë që do të favorizojnë ato kompani që kanë ruajtur fuqinë punëtore në këtë periudhë të krizës, që fillojnë prodhimin e produkteve të reja apo që rrisin eksportet. Por megjithatë në këtë situatë mund të ketë ndërmarrje që nuk mund ta evitojnë largimin e një pjese të punëtorëve nga puna. Për ata punëmarrës që humbin punën përgjatë kësaj periudhe, Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e një asistence mujore në masën e 130 euro për 3 muajt e ardhshëm. Maksimumi i shumës së alokuar në këtë masë do të jetë 4 milionë euro.

9. Ka evidencë që masat për parandalimin e COVID-19 në mënyrë mbi proporcionale kanë goditur një pjesë të komuniteteve pakicë. Qeveria e Republikës së Kosovës ndanë një shumë prej 2 milionë eurosh për iniciativa dhe projekte që targetojnë përmirësimin e kushteve të minoriteteve që janë goditur më shumë nga pandemia.

10. Një pjesë shumë e madhe e ndërmarrjeve të vendit përbëhet nga mikro-kompanitë dhe të vetëpunësuarit. Me qëllim të tejkalimit të fytit të ngushtë financiar, qeveria do të përpilojë një pako përmes së cilës këto kompani mund të sigurojnë likuiditet financiar (për një periudhë maksimale prej 24 muajsh, dhe shumë maksimale prej 10.000 eurosh), me ç’rast Qeveria do të merr përsipër mbulimin e kostos së kredisë. Për këtë masë do të ndahen 15 milionë euro.

11. Pandemia COVID-19 ka nxjerrë në pah edhe domosdoshmërinë e rritjes së prodhimit bujqësor brenda vendit. Për të inkurajuar shtimin e kapaciteteve të shfrytëzuara brenda vendit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të rrisë buxhetin për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro.

12. Masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë goditur rëndë edhe aktivitetet sportive, kulturore dhe artistike. Për të ndihmuar këto kategori, do të rritet për 5 milionë euro buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.

13. Menjëherë pas përfundimit të pandemisë, vendi do të ketë nevojë shumë edhe për rritjen e nivelit të eksporteve. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të sigurojë 10 milionë euro për mbështetje të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë në raport me shtimin e vëllimit të tyre të eksporteve.

Shuma e përgjithshme e kësaj pakoje emergjente arrin në 170.6 milionë euro, dhe me siguri se do të duhet të mbështetet edhe me një pako shtesë të stimulimit fiskal dhe monetar, por me një ndikim afatmesëm në ekonomi. Synimi i pakos tjetër të ndërhyrjes do të jetë ringjallja sa më e shpejtë e ekonomisë, rritja e prodhimit dhe punësimit. Në fazën e dytë pjesa më e madhe e ndërhyrjes do të marrë karakter monetar dhe do të përfshijë skemën e garantimit të kredive, dhe mbështetje të kredidhënies për sektorë të caktuar të ekonomisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave është duke punuar intenzivisht në gjetjen e burimeve shtesë të financimit. Përveç alokimit fillestar të shumës prej 10 milionë eurosh për Ministrinë e Shëndetësisë, është duke u negociuar edhe financim shtesë nga Banka Botërore (deri në masën e 70 milionë eurove). Po ashtu është dorëzuar kërkesa në FMN për kredimarrje nga instrumenti i shpejtë financiar në masën e 52 milionë eurosh; është kërkuar kredi në shumën e 35 milionë eurove nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës; është dërguar kërkesë zyrtare për mbështetje në Ministrinë Gjermane Për Zhvillim e Bashkëpunim; dhe është premtuar mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian.

Krejt në fund Qeveria e Republikës së Kosovës dëshiron të sigurojë secilin qytetar që është duke bërë maksimumin e saj për të mbajtur nën kontroll si dëmtimin e shëndetit të qytetarëve ashtu edhe atë të ekonomisë.

Të ngjashme