Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, së bashku me kryetarin e Junikut, Agron Kuçi, vizituan segmentin rrugor në fshatin Gjocaj i cili është dëmtuar së fundi.
Kryetari i Junikut, Agron Kuçi, tha se dëmtimi i këtij segmenti rrugor ka ndodhur si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, raporton Ekonomia Online.
“Për banorët e këtij fshati është menduar një rrugë alternative deri sa ky segment të rregullohet”, tha Kuçi.
Ndërkaq, ministri Pal Lekaj tha se për rregullimin e këtij segmenti komuna do të marrë mjete nga ministria.
“Po shihet që dëmi është shumë i madh, është diku mbi 300 mijë euro”.
“Komuna e ka bërë vlerësimin, meqenëse buxheti i komunës nuk mjafton për rregullimin e kësaj rruge, ne si ministri do ta mbështesim financiarisht, duke u ndihmuar gjithashtu edhe nga buxheti rezervë i qeverisë”, tha Lekaj.