Ministria e Integrimit Evropian, sqaron se Intervista e Ministres Dhurata Hoxha, e dhënë për portalin “arbresh.info”, në dhjetor të vitit 2016, dhe publikuar në po këtë portal, më 2 janar 2017, është bërë kur Ministrja Hoxha ishte në postin e Ministres së Drejtësisë.
Muajin e fundit, “hulumtuesit”, me tërë fuqinë po përpiqen të gjejnë diçka “negative” kundër Ministres, andaj u “gjet” një, duke keqpërdorur gabimin teknik të Zyrës së Komunikimit, duke gjymtuar kohën e botimit, karakterin dhe motivin e intervistës.
Ministria e Integrimit, nuk ka promovuar intervista të cilat janë jashtë mandatit dhe misionit të Ministres së Integrimit. Intervista e 2.1.2017, është postuar gabimisht në uebin e Ministrisë së Integrimeve, më 8.2.2018. Ministrja Hoxha nuk ka qenë asnjëherë në dijeni për postimin e kësaj interviste!
Kjo intervistë e karakterit jo politik, e vitit të ri, për arbresh.info, ka qëndruar në ueb faqe që nga shkurti i vitit 2018, por deri më tani nuk ka paraqitur “temë me interes”.
Publikimi i lajmeve dhe intervistave të Ministres Hoxha të ndërlidhura me punën e ministrisë fillimisht në ueb faqen e Ministrisë së Drejtësisë e më pastaj edhe në ueb faqen e Ministrisë së Integrimeve, për hir të zbatimit të ligjit dhe transparencës, është praktikë e rëndomtë publikimi dhe me qindra të tilla mund të gjenden në çdo kohë.
Ministria e Integrimit Evropian, ka qenë transparente dhe çdo herë ka ofruar qasje për media, duke qenë në shërbim të qytetarëve në pajtim me ligjin, ndërsa për këtë lëshim teknik, do të merren masa.