Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, është ankuar sot në Komisionin për të drejtat, interesat e komuniteteve dhe për kthim të Kuvendit të Kosovës, se buxheti i tyre është shkurtuar për 50 për qind.
Por, nga ana tjetër, përfaqësuesit e komuniteteve joserbe i kanë bërë vërejtje Jevtiqit se buxheti i kësaj ministrie shkon kryesisht për serbët.
Komisioni për të drejtat, interesat e komuniteteve dhe për kthim i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, shqyrtoi Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 për ministritë e linjës.
Para se të jepte komentet e tij për buxhetin e vitit të ardhshëm, Jevtiq ankua se buxheti për vitin 2017 iu është përgjysmuar “me një vendim nga Ministria e Financave”.
Jevtiq ka shpjeguar se projektet e tyre për kthim ndihmohen dhe nga fonde të Bashkimit Evropian, në kuadër të Instrumentit të Paraantarësimit (IPA).
Ndërsa nga buxheti i kësaj ministrie, për projektet për kthim, që nënkupton ndërtimin e shtëpive, janë vënë në dispozicion 2 milionë e 400 mijë euro.
“Ajo që shpenzohet nga buxheti i Ministrisë sonë është në bazë të projekteve obligative që i kemi për komunat që na e kërkohet”.
Ministri që vjen nga radhët e Listës Serbe, tregoi se në vitin 2017 ka pasur 343 të kthyer. “Ky vit ishte me shumë probleme. Nga të kthyerit shumica ishin romë”.
Mufera Srbica-Shinik, deputete e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), tha se nuk do ta votojë këtë buxhet, pasi nuk i plotëson kërkesat e komunitetit turk. Ajo ngriti si problem mungesën e përkthimit të librave për nxënësit e këtij komuniteti në Kosovë.
Ministri Jevtiq tha se sa i përket përkthimit të librave, kjo është çështje e Ministrisë së Arsimit. Kurse se a duhet të votohet buxheti, ai tha se vërejtje dhe shqetësime për buxhetin nuk ka vetëm komuniteti turk, por edhe përfaqësuesin e Listës Serbe në Kuvend.
“Por, Ministria e Kthimit e përkrahë këtë buxhet, pasi ministri i Financave është një njeri i ndershëm edhe e njeh mirë këtë fushë”, u shpreh ai.
Edhe Duda Balje, nga koalicioni boshnjak Vakat, pjesë e Grupit parlamentar 6+, pati vërejtje sa i përket ndarjes së buxhetit, por dhe shpenzimit të buxhetit të Ministrisë së Kthimit.
Ajo foli dhe për mungesë bashkëpunimi dhe komunikimi të MKK-së me komunitetin boshnjak.
“Duhet të kuptoni që miratimi i kërkesave nuk bëhet me porosi…. Ndarja e mjeteve bëhet me strategji dhe ajo strategji realizohet. Kërkesat e çdo komuniteti mund të plotësohen”, u përgjigj Jevtiq.
Sipas tij, për komunitetin boshnjak për vitin 2017 janë ndarë 13 për qind e buxhetit të MKK-së.
Kurse, Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes ka thënë se edhe më herë ka pasur vërejtje nga komunitetet pakicë joserbe për ndarje të keqe të buxhetit të kësaj ministrie.
“Çka keni bërë që me i bind përfaqësuesit e tyre që nuk ka diskriminim?”
Madje, Sveçla ka shtruar pyetjen pse duhet të ekzistojë ministri e veçantë për kthim dhe komunitete.
Jevtiq ka thënë se ministria është formuar për faktin se pas luftës ka pasur të regjistruar 250 mijë persona të zhvendosur, që sipas tij ishin shumica serbë. Dhe për t’u marrë me procesin e kthimit, në mënyrë sa më kualitative, është menduar se duhet të ketë një ministri, ka shtuar ai.