Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë ofron mbështetje për FSK-në

Prishtinë | 30 Sht 2021 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Shemsi Syla, i shoqëruar nga zv.komandanti i FSK-së, Enver Cikaqi, pritën sot në takim Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Gjermanisë, Thomas Silberhorn. Me këtë rast, Silberhorn theksoi gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë për të mbështhetur FSK’në.

Në këtë takim u diskutua rreth bashkëpunimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë dhe për fazat e zhvillimit të FSK-së.

“Ne i jemi falënderues qeverisë dhe shtetit gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që na ka dhënë dhe çdoherë ka qenë krah i fortë i Republikës së Kosovës”, tha zëvendësministri Syla me këtë rast.

Më tej, ai theksoi se Gjermania është një nga kontribuuesit më të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të FSK-së, duke dhënë mbështetjen si me edukim dhe trajnime të pjesëtarëve të FSK-së, shkëmbim të përvojave ndërmjet njësive dhe sektorëve, dërgimin e këshilltarëve bilateralë, donacionet në formë pajisje, etj.

Ndërsa, në fjalën e tij, Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Gjermanisë, Thomas Silberhorn, theksoi se shteti gjerman është i interesuar në ngritjen e kapaciteteve institucionale të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes në veçanti.

Me këtë rast, Silberhorn, para mediave theksoi se ndjehet i lumtur për faktin që FSK-ja është në rrugë të mbarë në procesin e tranzicionit të saj.

Ndër të tjera, ai theksoi gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të armatosura gjermane për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen, zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së nga fusha e arsimimit dhe stërvitjes, si dhe sistemeve të mbështetjes logjistike të FSK-së.

Më tej, Silberhorn tha se e gjithë kjo mbështetje ka për qëllim që FSK të jetë forcë e ndërtuar sipas standardeve të NATO-s, dhe ndërveprueshme për operacione të përbashkëta paqeruajtëse.

Në fund të këtij takimi, të dy delegacionet vizituan Kazermën “Adem Jashari”, ku pjesëtarët e trajnuar të FSK-së demonstruan përdorimin e pajisjeve për pastrimin e ujit, të dhuruara nga shteti gjerman, të cilëve iu ndanë edhe certifikatat me këtë rast.

Të ngjashme