Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të ndihmojë komunën e Pejës me 50 mijë euro për të përmirësuar deponinë e mbetjeve të ngurta në këtë komunë.
Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, pas takimit që e pati me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha pret nga kryetari i Pejës që ta realizojë këtë projekt në mënyrën më të mirë të mundshme, raporton Ekonomia Online.
“Ne me kryetarin nënshkruam memorandum bashkëpunimi për deponinë e mbetjeve të ngurta, me të cilën marrëveshje, do të fillojë për të përmirësuar gjendjen në këtë deponi e nuk përfundon gjithçka ne këtë projekt. Po përgatitemi që edhe fondet e IPA të na gjejnë të përgatitur sa i përket këtyre fondeve të deponive. Shpresojmë që komuna do ta realizojë brenda këtij viti në mënyrë jashtëzakonisht të mirë”, theksoi Matoshi.
Matoshi njoftoi se gjatë takimit me Muhaxherin kanë biseduar edhe për impiantin e ujërave të zeza, për ndërtimet pa leje si dhe për aksionin e 15 shtatorit për pastrimin e Kosovës.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se për këtë projekt komuna do të investojë 48 mija euro, mjete këto të cilat do të shfrytëzohen për përmirësimin e gjendjes në këtë deponi, deri në krijimin e një të reje.
U.d. i ministrit të MMPH,Fatmir Matoshi, është duke nënshkruar memorandume të ngjashme bashkëpunimi edhe me komunat e tjera të Kosovës, raporton Ekonomia Online.