Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka paraparë disa ndryshime në Projektligjin e ri për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes.
Me nenet e reja të përfshira në Projektligj, që të hënën ka dalë në konsultim publik, kjo ministri synon që t’i bëjë transparente procedurat e pajisjes me leje për impiante që ushtrojnë veprimtari industriale, shkruan sot Koha Ditore.
Në Projektligjin që të hënën ka dalë në konsultim publik thuhet që Ministria duhet të sigurohet që publikut i janë ofruar mundësi të hershme dhe efektive për të marrë pjesë në procedurën e dhënies së lejeve për secilin impiant të ri.
Gjithashtu publikut duhet t’i ofrohet qasje edhe në procedurat e dhënies së lejes për ndonjë ndryshim thelbësor në ndonjë impiant, si dhe dhënien ose përditësimin e lejes për një impiant ekzistues.
Impianti, sipas këtij projektligji, nënkupton njësinë statike teknike, ku kryhen një ose më shumë aktivitete në fushën e industrisë së energjisë, prodhimit dhe përpunimit të metaleve, industrinë e mineraleve, industrinë kimike, menaxhimin e mbeturinave, si dhe çfarëdo aktivitetesh tjera ndërlidhëse të drejtpërdrejta, të cilat kanë lidhje teknike me aktivitetet e kryera në atë vend dhe të cilat mund të kenë ndikim në emetim dhe ndotje.