Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njofton lidhur me çështjen e përdorimit të kredit kartelës zyrtare të ish zëvendësministrit të MPMS-së, Qazim Rrahmani, duke thënë se ka ndërmarr hapat e nevojshëm, konkretisht ka bllokuar përdorimin e mëtejmë të kredit kartelës dhe duke zbatuar ndalesën prej 50% në pagë, për shumën e paarsyetuar të shpenzimeve, nga muaji shkurt i vitit të kaluar.
Sqarimi i plotë i MPMS-së:
Sqarojmë opinioni se për të mbuluar shpenzimet e shkaktuara, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi që i ka tërhequr vërejtjen ish-zëvendësministrit, për përdorim jo të rregullt të kredit kartelës zyrtare, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme konform procedurave.
Konkretisht është bllokuar përdorimi i mëtejmë i kredit kartelës dhe duke zbatuar ndalesën prej 50% në pagë, për shumën e paarsyetuar të shpenzimeve, nga muaji shkurt i vitit të kaluar.
Lidhur me pjesën e mbetur të paarsyetuar të mjeteve të shpenzuara nga kredit kartela zyrtare, zëvendësministri Rrahmani ka premtuar se këto mjete do t’i kthejë në Buxhetin e MPMS-së deri në fund të këtij muaji, në të kundërtën, MPMS-ja do të njoftojë thesarin dhe organet kompetente për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.