Ministria e Punës nis inspektimin pas pretendimeve për moszbatim të pagës minimale

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 18:24 | Nga Ekonomia Online

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ka njoftuar se ka filluar inspektimin, pas informacioneve se vendimi për pagën minimale për punëtorët e sigurimit fizikë dhe teknikë në objektin e Ministrisë nuk po zbatohet.

Siç sqarohet edhe në njoftim këta punëtorë janë të punësuar nga kompani private kontraktuese, ndërsa Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës paguajnë vetëm shërbimin e kontraktuar dhe jo drejtpërdrejt punëtorët.

“Si rezultat, Inspektorati Qendror i Punës ka filluar inspektimin ndaj kompanive përkatëse, me qëllim të verifikimit të plotë të zbatimit të legjislacionit të punës dhe vendimit për pagën minimale. Theksojmë se Inspektorati Qendror i Punës nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare nga punëtorët e kompanive, megjithatë institucionet kanë vepruar menjëherë për të verifikuar situatën”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjatë ditës, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka akuzuar se punëtorët e sigurimit fizikë dhe ata teknikë të cilët punojnë në objektin e Ministrisë së Punës kanë marrë pagë më të vogël sesa paga minimale që ka ndryshuar nga 1 janari sipas vendimit të Qeverisë.

Të ngjashme