Sot fillon Muaji i Botëror i Vetëdijesimit për Sigurinë Kibernetike dhe në kuadër të këtij muaji, Republika e Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraparë disa aktivitete në vazhdën e hapave për forcimin e Sigurisë Kibernetike në vend.
Ngritja sigurisë është e domosdoshme në gjitha institucionet publike, duke vlerësuar rëndësinë që ka siguria kibernetike dhe sipas nevojave janë hartuar plane konkrete të ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe teknologjike.
Në Kosovë, përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) është zgjeruar me shpejtësi prej vitit 2000, ndërsa tanimë TIK-u luan rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e jetës sonë. Përdorimi i Internetit në Kosovë është 76.6%, shkallë kjo shumë e ngjashme me mesataren e Bashkimit Evropian (BE), derisa edhe sjelljet e qytetarëve të Kosovës në Internet duket të jenë të ngjashme me trendet globale.
Në kuadër të aktiviteteve të paraparë për shënimin e këtij muaji, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me ICITAP do të trajnojë mbi 200 zyrtarë të ministrisë dhe agjencive të saj, të cilët kanë qasje në domain-nin shtetëror për rëndësinë e Sigurisë Kibernetike.
Në kuadër të këtij muaji gjithashtu do të mbahen aktivitete dhe takime të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit për rëndësinë e Sigurisë Kibernetike.