Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacione në lidhje me vdekjen e tri foshnjave të porsalindura në Klinikën Gjinekologjike në Shkup.
Sipas informacioneve të Klinikës për Gjinekologji dhe Akusheri, pacientja I.M është hospitalizuar më 21 gusht në Klinikë me dhimbje barku, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se të njëjtën ditë ajo ka lindur trinjake në javën e 27 me prerje cezariane.
“Foshnjat e lindura janë pranuar nga pediatri dhe akushere në sallën e operacionit. Me familjen është biseduar disa herë, me qëllim që t’u sqarohet gjendja e foshnjave, tretmanin dhe mundësinë për mbijetesë, ndërsa në ditën e nesërme është konstatuar vdekja e të tre foshnjave”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Ata shtojnë se kanë formuar një komision i cili do të hetojë rastin, me qëllim që të vërtetojë trajtimin e përgjithshëm të nënës dhe foshnjave në përputhshmëri me protokolet mjekësore.