Ministria paguan 17.5 euro për një çadër

Prishtinë | 15 Nën 2016 | 09:32 | Nga

Ministria e Integrimit Evropian ka shpenzuar 875 euro për të blerë 50 ombrella. Për një ombrellë do të paguajë 17.5 euro.

Ministria e Integrimit Evropian (MIE) do të paguajë 17.5 euro për një ombrellë. Ministria do t’i blejë 50 të tilla dhe për to do të paguajë 875 euro.

Blerjen e këtyre ombrellave, MIE e ka bërë përmes procedurës së mbyllur të prokurimit, pra pa njoftim për kontratë.

Në faqen zyrtare të Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) është publikuar njoftimi për nënshkrimin e kontratës për tenderin “Furnizim me ombrella për nevoja të MIE-së”.

Kjo ministri për këtë aktivitet të prokurimit nënshkroi kontratën në vlerë prej 875 euro, për të cilën thotë se ka qenë oferta më e lirë e pranuar nga tre operatorë sa kanë marrë pjesë në këtë tender të mbyllur.

Në një kalkulim të thjeshtë i bie që një ombrellë kësaj ministrie i kushtoi 17,5 euro.

Çmimi i një çadre në tregun e Kosovës ndryshon varësisht nga cilësia. Më e lira është 1,5 euro.

Zyra për Informim e Ministrisë së Integrimit Evropian për KALLXO.com thotë se 50 ombrella janë blerë me logo të këtij institucioni.

“Në bazë të kërkesës janë blerë 50 ombrella me logo të MIE-së, të madhësisë mesatare dhe të kualitetit të lartë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

“Ombrellat janë për qëllime përfaqësimi, si dhurata për personalitete të larta shtetërore që vizitojnë Kosovën dhe kanë takime protokollare me përfaqësuesit e MIE-së”, thuhet në përgjigjen e kthyer për Kallxo.com.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme