Prishtinë, 9 korrik – Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot znj. Maria Suokko (Finlandë) të sapoemëruar si përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë, me të cilën diskutoi marrëdhëniet shumë të mira në mes të Ministrisë dhe UNDP-së.
Ministrja Hoxha vlerësoi lart punën dhe përvojën e përfaqësueses së re të përhershme të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) që nga viti 2000 e këndej, dhe ofroi gatishmërinë e bashkëpunimit me interes dhe synime të përbashkëta.
“UNDP ka luajtur rol shumë madh në ndërtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, çmojmë lart angazhimin e kësaj organizate e cila është e fokusuar në prioritete me peshë dhe vlerë për qytetarët tanë, në veçanti fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore”, potencoi Ministrja Hoxha dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në realizimin e prioriteteve të UNDP, për zhvillimin e të ardhmes sa më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko theksoi se e mori këtë detyrë në një moment shumë të rëndësishëm pasi zyra po shënon 20 vjetorin e bashkëpunimit të suksesshëm në Kosovë, dhe potencoi se do të ofrojë bashkëpunim të plotë me Ministrinë e Integrimit.
Ministrja Hoxha dhe znj. Suokko, u dakorduan se mund të thellohet dhe fuqizohet bashkëpunimi për rrugën dhe synimet e zhvillimit të qëndrueshëm për qytetarët e Kosovës dhe shfaqen gatishmërinë për këtë bashkëpunim.