Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nisur për Luksemburg, për të marrë pjesë në takimin e rregullt të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për sfidat e përbashkëta të politikës së jashtme dhe sigurisë gjatë viteve të ardhshme.
Në këtë takim Ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth procesit të integrimeve evropiane, sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë kësaj vizite zyrtare në Luksemburg, Ministrja Gërvalla, do të marrë pjesë në shënim e Ditës Kombëtare të Luksemburgut, me ftesë të Dukës së Madh.