Ministrja e Shtetit të Gjermanisë në Zyrën e Jashtme Federale, Anna Luhrmann, ka deklaruar se progresi drejt normalizimit të qëndrueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë është urgjent, më tepër se kurrë më parë.
Ajo ka theksuar se propozimi evropian, i bazuar në një iniciativë franko-gjermane, është mundësi unike për të dyja palët, raporton EuropeanWesternBalkans.
“Pranimi i propozimit mund të jetë fundementalisht dhe qëndrueshëm t’i përmirësojë marrëdhëniet në mes të dyja shteteve”, është shprehur ajo.
“Propozimi mund të nxisë procesin e normalizimit në të mirë të qytetarëve të tyre. Ai mund t’i largojë pengesat në rrugën e mëtejme drejt integrimit evropian dhe zhvillimit ekonomik. Ai saktësisht mund të jetë një nxitje politike dhe ekonomike për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet peng nga kjo çështje e pazgjidhur. Të gjitha vendet anëtare shpresojmë që Serbia dhe Kosova ta zënë këtë shans unik dhe historik”, është përgjigjur Luhrmann.
“Evropa është duke përqafuar këtë rajon si kurrë më parë: Duart tona janë aq ta hapura, por që ne kemi nevojë që të dyja palët të veprojnë me konstruktivitet”.