Ministrja e mbrojtjes e Gjermanisë, Ursula von der Leyen, i ka vizituar trupat e vendit të saj në rajonin kurd në Irak, për ta përcaktuar progresin e forcave në luftën kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, dhe për tu përgatitur për ndryshim në strategji.
Gjatë vizitës së djeshme zonja der Leyen tha se roli i forcave gjermane në Irak duhet të evoluoj për t’i plotësuar “nevojat e Irakut” pas “periudhës së tranzicionit”, pas fitores kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, në pjesën më të madhe të Irakut.
Gjermania i ka afro 150 ushtarë të vendosur në Erbil, që është kryeqytet i rajonit autonom kurd në Irak.
Ky mision i ushtrisë gjermane në Kurdistan të Irakut përfundon në mars të këtij viti.
“Çdokush e ka të ditur se Shteti Islamik është mundur, por ende nuk i është shkaktuar disfatë e plotë”, tha ministrja gjermane e mbrojtjes, Ursula von der Leyen.
Sipas saj, liderët irakianë kanë shprehur dëshirë për “përkushtim nga Gjermania” për “forma të tjera të angazhimit”, përfshirë trajnim dhe logjistikë.