Ministrja Hajdari dje deklaroi se “nuk e njeh” – Ridvan Muharremi e qet në rrenë, thotë se u angazhua nga vetë ajo

Prishtinë | 19 Gus 2023 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Mahmut Halimi, avokati i Ridvan Muharremit, pronar i furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, i cili është i afërt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe për të cilin u kuptua se Qeveria e kishte angazhuar për Rezervat Shtetërore ku dyshohet të jenë keqpërdorur rreth 10 milionë euro ka treguar rolin që ka pasur klienti i tij për të siguruar grurë dhe vajë për Rezervat Shtetërore.

Pas mbarimit të seancës dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila edhe caktoi masën e paraburgimit ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Hafiz Garës, Irfan Lipovicës si dhe ndaj afaristit Ridvan Muharremit në kohëzgjatje prej 30 ditë, avokati Halimi i tha mediave se klienti i tij ishte kontaktuar në mënyrë direkte nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, në mënyrë që t’ua gjejë ndonjë vend ku mund të blihet vaji e gruri, shkruan AP.

“Ridvan Muharremi nuk ka pasur asnjë pozitë në ministri, është kyçur në baza vullnetare sepse në kohën relevante kur kanë ndodhur ngjarjet, ka qenë koha pas agresionit rus në Ukrainë, dhe ka pasur mungesë të artikujve ushqimorë. Dhe Ministria e di se është përpjekur për të siguruar të mira materiale, ushqime për rezervat e shtetit”.

Sipas Avokatit Halimi, Muharremi është kontaktuar nga Ministria e Industrisë në çështjen e Rezervave Shtetërore meqë ky i fundit në cilësinë e biznesmenit mund të ndihmojë MINT-in për të siguruar grurë e vaj.

“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si person afarist, që ka traditë të gjatë dhe ka rreth të gjerë të miqve. Ka një restorantin modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm Kurti e ministrat. Por, plot ambasadorë”, ka thënë Halimi.

Megjithatë ndryshe nga avokati i Muharremit, ministrja Hajdari në një konferencë për media kishte deklaruar se për Muharremin “nuk ka asnjë informatë”.

“Unë s’kam asnjë informacion që personi në fjalë është në ndonjë kontraktim të kontratave për Rezerva Shtetërore. Unë vetë si ministre i kam nënshkruar kontratat për Rezervat Shtetërore që janë si sekret. Përndryshe ministria ka nënshkruar shumë operator, por jo vetëm një”, tha ministrja Hajdari, të premten.

Të ngjashme