Ministrja Haradinaj-Stublla përfundon vizitën zyrtare në Holandë

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, ka përmbyllur sonte vizitën zyrtare në Hagë të Holandës.

Gjatë vizitës dy ditore, shefja e diplomacisë ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të shtetit holandez përfshirë edhe minstrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës Stef Blok, me të cilin nënshkruan edhe Marrëveshjen për Sigurimet Sociale ndërmjet Kosovës dhe Holandës, që lidhet me pensionet dhe përfitimet ligjore të ndërsjella.

Shefja e dipomacisë ka diskutuar me homologun Blok edhe për mungesën e liberalizimit të vizave pas përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, dhe ka kërkuar nga ai  që Holanda të rishikojë qëndrimin skeptik ndaj kësaj agjende.

Gjatë qëndrimit dy ditor Haradiaj Stublla ka takuar edhe deputetët e Parlamentit dhe Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Sven Koopmans dhe Andre Bosman.

Ministrja Haradinaj Stublla ka takuar gjithashtu diasporën shqiptare në Hagë, përfaqësues të shoqatave shqiptare atje, me të cilët ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën dhe projekte që forcojnë lidhjen e tyre me shtetin e Kosovës.

Me përmbylljen e vizitës në Holandë Haradinaj Stublla do udhëtoj për Austri ku gjithashtu do zhvillojë takime të nivelit të lartë.

Të ngjashme