Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Alber Zogaj dhe Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët zotimi.
Përmes kësaj deklarate, Ministria e Drejtësisë zotohet se do të formojë në afatin më optimal, grupet punuese për kryerjen e hapave procedurale dhe nxjerrjen e dokumenteve përkatëse për reformat . Në anën tjetër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Supreme me nënshkrimin e kësaj Deklarate, zotohen të kontribuojnë substencialisht në këtë proces duke dhënë kontribut të vazhdueshëm profesional përmes përfaqësuesve kompetent.
“Ky akt shënon një zotim të plot-vullnetshëm për të ngritur nivelin e bashkëpunimit dhe kontributit në mes të këtyre institucioneve, me qëllimin e qartë për reforma në fushat e caktuara të sundimit të ligjit, ndër të tjera, në atë penale, civile dhe administrative. Zotimi i tillë, gjithashtu është i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe kontributin profesional të partnerëve strategjik, si pjesë e rëndësishme e reformave në drejtësi. Një akt i tillë, shënon përkushtimin dhe bashkëpunimin e institucioneve të drejtësisë, për të kontribuar tutje në proceset reformuese në drejtësi, për të forcuar sundimin e ligjit si dhe për të rritur rezultatet e institucioneve dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e MD-së.