Ministrja Haxhiu priti në takim anëtarët e Komisionit për Legjislacion

Prishtinë | 22 Pri 2022 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Sot, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, anëtarët e Komisionit për Legjislacion u pritën në takim nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me ç’rast ky Komision u interesua për nivelin e zbatimit të ligjit
për noterinë, si dhe ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

Ministrja Haxhiu vlerësoi interesimin e këtij Komisioni për të diskutuar rreth çështjeve të cilat u ngritën në këtë takim.

Kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, dhe nënkryetari, Driton Selmanaj, në cilësinë e kryesuesëve të dy grupeve punuese përkatëse, u informuan më shumë rreth këtyre ligjeve.

Ministrja e Drejtësisë i njoftoi anëtarët e Komisionit që sa i përket ligjit për noterinë, janë në proces nxjerrja e dy akteve nënligjore, njëra për evidencën për personat që kanë dhënë provimin për noteri, ndërsa
tjetra për tarifat noteriale që shfuqizon aktin nënligjor për tarifat të zbatueshëm aktualisht. Ndërsa sa i përket ligjit për mbikëqyrje elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, janë nxjerrë aktet nënligjore përkatëse.

Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e emërimit të noterëve të rinj, ashtu siç parashihet me ligj, ndërsa ministrja Haxhiu u zotua se emërimi i noterëve të rinj do të bëhet brenda këtij viti.

Të ngjashme