Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, takuan Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Alber Zogaj, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, me ç’rast diskutuan për sfidat e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial dhe mundësin e adresimit të tyre.
Me këtë rast, ministrja Haxhiu theksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për adresimin e sfidave të sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë kërkesat buxhetore,
duke qenë se aktualisht Qeveria përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, është në fazën finale të përgatitjes së projektbuxhetit për vitin 2022.
“Kërkesat e Këshillave do ta kenë mbështetjen time dhe të Qeverisë Kurti, sikurse kërkesat e qytetarëve për shtimin e efikasitetit dhe të llogaridhënës së sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial” tha ministrja Haxhiu.
Ministrja theksoi se në legjislaturën e kaluar është miratuar pakoja e ligjeve të sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, mirëpo për shkak të mjeteve buxhetore të pamjaftueshme, këto ligje ende nuk po gjejnë zbatim.
Njëherit, shprehu zotim për angazhim të pakursyer në ndarjen e mjeteve buxhetore për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional për gjyqtarë dhe prokurorë, ngasë kështu do të mundësohet zbatim i ligjit si dhe do të ketë rritje të efikasitetit.
Po ashtu, nuk do të mungojë gatishmëria për angazhim në ndarjen e mjeteve për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, si dhe rritjen e numrit të prokurorëve dhe të stafit mbështetës në Prokurorinë Speciale në përgjithësi, si dhe Departamentit për Krime të Luftës në veçanti.
Të dy kryesuesit e këshillave e falënderuan Ministren Haxhiu për bashkëpunimin, duke shprehur mirënjohje për gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë por edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për realizimin e kërkesave buxhetore përtej kufijve buxhetor të përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.