Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se pret nga klasa politike të gjej konsensus dhe të aprovohet marrëveshja për demarkacion.
Sipas saj, është shumë e rëndësishme që të miratohet demarkacioni dhe qytetarët e Kosovës mos të mbesin të izoluar.
“Qeveria e re ka qenë e përkushtuar që të gjejë një zgjidhje lidhur me çështjen e kriterit të mbetur, pra, kalimin apo ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Malit të Zi dhe Kosovës, i ka bërë përpjekjet dhe tanimë qeveria ka proceduar marrëveshjen në Kuvend. Presim që klasa politike të gjejë një konsensus, i cili ka munguar këto vitet e fundit, dhe të kalojë marrëveshja me Malin e Zi. Është shumë me rëndësi që qytetarët mos të vazhdojnë të mbesin të izoluar, siç kanë mbetur të vetmit në rajon”, ka thënë Hoxha për Radio Kosovën.
Ajo tha se edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, si një nga kushtet për liberalizim, duhet të përmbushet.
“Kushti i dytë, luftimi i krimit dhe korrupsionit, është në vazhdimësi një kusht që duhet përmbushur. Duhet të theksoj se ne jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me zyrën e Bashkimit Evropian, dhe institucionet e tjera, dhe në vazhdimësi jemi duke raportuar për të arriturat por, kuptohet që ky kriter duhet me tutje të përmbushet. Institucionet duhet gjithmonë të luftojnë krimin dhe korrupsionin, të ketë në vazhdimësi hetime për raste të reja, ngritje të aktakuzave, gjykime apo procese gjyqësore. Kuptohet çdo herë aty ku ka hapësirë të luftohet krimi dhe korrupsioni e jo vetëm sa për të mbushur numër të rasteve”, u shpreh ajo.