Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të certifikatave për projektin rajonal “Shkolla takon biznesin”.
Ky aktivitet synon të rrisë kapacitetin dhe kompetencat e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, për bashkëpunim profesional me sektorin e biznesit, me një fokus të veçantë në organizimin dhe zbatimin e “Të mësuarit në vend të punës MVP”.
Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, një marrëdhënie e fortë institucionale midis sistemit të AAP-së dhe sektorit privat është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Nagavci theksoi se, në mënyrë që AAP t’i përgjigjet nevojave të tregut të punës, përfshirja e sektorit privat në të gjitha proceset është thelbësore, duke filluar nga identifikimi i nevojave të tyre për kualifikime, procesi i zhvillimit të kurrikulave, ofrimi i mundësisë së nxënësve për të praktikuar shkathtësitë në mjedise të punës, vlerësimi i tyre dhe në fund punësimi.
Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, tha se në Kosovë janë ndërmarrë hapa substancial për zhvillimin e AAP-së dhe ky projekt është një shembull i bashkëpunimit afatgjatë në mes të Kosovës dhe Austrisë.