Ministrja Xhaçka: 48 të vdekur nga tërmeti, katër mijë janë jashtë në çadra

Prishtinë | 29 Nën 2019 | 10:47 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka mbajtur një konferencë ku ka dhënë numrin e konfirmuar të të vdekurve pas tërmetit që goditi Durrësin me rrethinë ditë më parë.

Ajo ka thënë se janë 48 njerëz që kanë humbur jetën deri tash dhe të cilët janë të identifikuar.

“Vazhdojnë të jenë net ankthi nga pasgoditjet. Lajm i mirë është se fuqia e goditjeve ka trend dukshëm zbritës dhe shpresojmë se kësaj situate po i vjen fundi. Jam krenare që shqiptarët kudo në rajon dhe kudo e kaluan këtë test në mënyrë më dinjitoze duke fituar admirimin e botës. Jetët e humbura 48 të indetifikuara nuk do të kthehen më”.

“Kjo ngjarje ka pasë edhe kosto materiale. Operacioni i kërkim-shpëtimit po vjen drejt fundit. Bëjë thirrje: Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar mos e bëni ekspertin vet dhe largohuni drejt strukturave akomoduese”.

“Sipas vlerësimeve në terren janë mbi 4 mijë banorë që e kanë të pamundur të kthehen në banesa. Ky numër do të ndryshojë. Shumica prej tyre janë qytetarë dhe me stabilizimin e situatës do të kthehen në banesa, sepse kanë qëndruar jashtë nga ankthi. Garantoj se ne jemi gati dhe askush nuk do të mbetet në rrugë”.

Xhaçka ka thënë se deri tash kanë shpërndarë një mijë çadra dhe që të tjera do të shpërndahen.

“Zgjidhja me çadra është për një fazë emergjente, jo afatgjatë. Cilësia dhe kushtet e jetës dhe shëndeti i qytetarëve janë më të rëndësishme. Do të punojmë që t’i heqim qytetarët nga çadrat. Janë dhjetëra pallate, qindra banesa të shkatërruara. Duhet durim dhe bashkëpunim. Jemi në këmbë dhe do të bëjmë çdo gjë që kjo situatë të tejkalohet”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme