Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bashkë me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), kanë prezantuar skemat e reja mbështetëse për bizneset në vlerë prej 5.8 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
Ministrja në detyrë e MINT-it, Mimoza Kusari-Lila, tha se skema më e madhe është ajo për blerjen e makinerive të avancuara për prodhim dhe përpunim, me buxhet prej 5 milionë euro.
“Ndërsa sot po prezentojmë katër skema të reja, në vlerën totale prej 5.8 milionë euro si mbështetje për bizneset, nga ato janë skemat e granteve për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive të avancuara të prodhimit dhe përpunimit, me synim transformimin strukturor drejt një industrie me të integruar globalisht dhe të aftë për të prodhuar produkte me vlerë të shtuar, buxheti i kësaj skeme është 5 milionë euro dhe në fakt është skema më e madhë në kuadër të skemave që po i lansojmë dhe kjo pritet të hapet më së largu brenda 2 ditëve përmes ekosova”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se ministria po vazhdon mbështetjen direkte për bizneset përmes skemave që janë në funksion tash e disa vite.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në planin e vet të punës, për këtë vit edhe për vitet në vijim, e ka mbështetjen e drejtpërdrejtë të bizneseve përmes skemave që tash e disa vite janë në funksion. Kjo skemë është lansuar dhe është promovuar javën e kaluar, ndërsa, tashmë, tri prej këtyre thirrjeve janë të hapura në kuadër të Ministrisë, ndërsa e katërta, ajo më e madhja për makineri të përpunuara apo për industri prodhuese është në proces të lansimit përmes skemës apo sistemit të Ministrisë së Administrimit të Dixhitalizimit apo asaj të Agjencisë Shtetërore përmes e-Kosovës. Mënyra dhe forma në të cilën ne synojmë që të krijojmë këtë praktikë të ofrimit të mbështetjes për bizneset është që të jetë sa më transparente, e hapur dhe natyrisht që në këtë rrugëtim tonin bashkë të marrim sa më tepër informacion kthesë që të dimë se cilat janë hapësirat dhe mundësitë tona për të përmirësuar ndihmën dhe asistencën e drejtpërdrejtë për bizneset kosovare. Më lejoni vetëm shkurtimisht që t’ju tregoj se çfarë është bërë nga Ministria në vitin 2025, apo vitin që lamë pas, dhe pastaj se cilat janë planet tona për vitet pasuese”, tha ajo.
Ajo tha se gjatë periudhës 2022-2025 janë zhvilluar instrumente të ndryshme mbështetëse për bizneset, përfshirë prodhimin, përpunimin, digjitalizimin dhe fuqizimin e grave ndërmarrëse.
“Në fakt, gjatë një periudhe katërvjeçare 2022-2025, MINT-i dhe Agjencia për Ndërmarrësi, KIESA, kanë zhvilluar instrumentet mbështetëse për bizneset duke përfshirë skemat për prodhim, përpunim, dixhitalizim, inovacion, certifikim të produkteve dhe fuqizim të grave ndërmarrëse. Në këtë periudhë ka filluar dhe zbatimi i projektit “Iniciativa për fuqizim dixhital” në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA). Ky projekt është shndërruar në një program të rëndësishëm për transformimin dixhital të bizneseve përmes të cilit kanë përfituar 124 biznese me një buxhet prej 5 milionë euro”, tha ajo.
Ministrja në detyrë tha se gjatë vitit 2026 do të vazhdohet me programe të reja strategjike, përfshirë mbështetjen për energji të pastër dhe transformim të gjelbër industrial.
“Viti 2026, KIESA dhe Ministria që drejtoj po vazhdojnë zbatimin e programeve të reja strategjike me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, transformimin e gjelbër, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përkrahjen e sektorëve me potencial të lartë zhvillimor. Në kuadër të skemës që tashmë ka kaluar një fazë, fazën e parë, dhe po përgatitet për fazën e dytë, skema për energji të pastër, janë përzgjedhur nëntë kompani përfituese me qëllim të promovimit të investimeve të gjelbërta, të rritjes së efikasitetit energjetik dhe avancimit të qëndrueshëm mjedisor në sektorin privat. Dhe aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së fazës së dytë që në total të dy fazat planifikohet të mbështeten 40 biznese në vlerë prej 1 milion euro. Transformimin e gjelbër industrial e shohim të një rëndësie të veçantë për arsye se, përveç zhvillimit të industrisë, kriteret të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit dhe me industrinë e gjelbër janë kritee që nuk përfiton vetëm shteti dhe natyrisht mjedisi, por gjithashtu edhe bizneset për shkak se shumë shpejt në kuadër të vlerësimit të ngarkesës tatimore që bizneset e kanë ose mund ta kenë në rastin e eksportit do të jetë edhe taksa CBAM apo taksa e cila llogarit emetimin e CO2-shit për secilin produkt të prodhuar”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se tashmë është hapur edhe thirrja për subvencionimin e bizneseve në pronësi të grave.
“Ndërsa me qëllim të përkrahjes së ndërmarrësisë me pronësi apo bashkëpronësi të grave, së paku 50% , Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inovacionit përmes Agjencisë për investime dhe përkrahje të ndërmarrjeve në Kosovë, ka shpallur tashmë thirrjen publike për subvencionimin e bizneseve në pronësi të grave ndërmarrëse dhe për këtë skemë është ndarë një buxhet prej 200 mijë euro, ndërsa planifikohet të mbështeten 20 biznese”, tha ajo.
