Përfaqësuesja e vendit me të cilin Kosova nisi rrugëtimin ndërkombëtar do të jetë kundërshtare e “dardanëve” në ndeshjen e ardhshme. Bëhet fjalë për miqësoren ndërmjet Kosovës dhe Gjibraltarit, që zhvillohet më 10 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Është kjo miqësorja e fundit e Kosovës para tri ndeshjeve, të vlerësuara si finale, që do të vendosin për kualifikimin në kampionatin evropian të vitit 2020.
Kosova e Gjibraltari janë pranuar në të njëjtën kohë në FIFA (Federatën Ndërkombëtare të Futbollit), më 13 maj të vitit 2016. U vendos që përfaqësueset e të dy vendeve të përfshihen në eliminatoret për Botërorin e vitit 2018, ndonëse shorti ishte tërhequr tashmë dhe terminët ishin caktuar, shkruan sot Koha Ditore.
UEFA (Konfederata Evropiane e Futbollit) ishte autorizuar nga FIFA që të gjejë mënyrën për integrimin e Kosovës dhe Gjibraltarit në kualifikime dhe ajo më 9 qershor të vitit 2016 vendosi që Kosova të garojë në Grupin I, kurse Gjibraltari në Grupin H. Ishin këto dy grupet me nga një përfaqësuese më pak, kurse Kosova nuk u vendos në Grupin H për të shmangur përballjet me Bosnjë-Hercegovinën, për arsye politike.
Takime të tjera kanë pasur Kosova e Gjibraltari në skenën e futbollit që nga atëherë. Përfaqësuesja e Kosovës është vlerësuar se ka ecur shumë para në vitet e fundit dhe më nuk i takon grupit të përfaqësueseve të vogla evropiane, ku bën pjesë Gjibraltari. Kosova në ranglistën e FIFA-s është në vend të 119-të, ndërsa Gjibraltari në vend të 197-të.