Për luftimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë, është shtruar nevoja e miratimit të një ligji për dekriminalizim të skenës politike.
Hartimin e një kodi në bazë të të cilit nuk do të lejohet që njerëzit e dënuar të jenë pjesë e proceseve zgjedhore dhe institucionale, e ka iniciuar presidenti Hashim Thaçi.
Një ligj i tillë, sipas politologut Belul Beqaj do të ndikonte vetëm nëse do të goditeshin njerëzit që i kanë zënë peng postet më vendimmarrëse siç është drejtësia.
“Ligji i tillë do të ketë ndikim vetëm nëse i godet ata që i kanë zënë peng hallkat më të rëndësishme vendimmarrëse të pushtetit e, veçmas drejtësinë. Numri i tyre është i vogël ,por goditja e tyre, do të bëjë ndryshim dhe disponim shumë të madh drejtë luftës së krimit dhe korrupsionit”, është shprehur Beqaj.
Sipas tij, nevoja për ligjin e dekriminalizimit shtohet kur dihet që disa komuna udhëhiqen nga njerëz nën hetime dhe tashmë të dënuar me burg.
Beqaj thotë se para se të aktivizohet Gjykata Speciale, një ligj për dekriminalizim do të kthente shpresën se njerëzit që kanë shkelur drejtësinë nuk do të mund të ndikonin më në të.
“Fakti pse disa komuna udhëhiqen me zyrtarë që janë nën hetime dhe të dënuar është një arsye më shumë që të insistohet në Ligjin për dekriminalizim. Jam i prirur të besoj se ky Ligj,me kusht që të aktivizohet ndërkohë Gjykata ndërkombëtare speciale, do të krijoj hapësirë të qëndrueshme legale për t’u kthyer shpresa se shkelësve të drejtësisë do t’u ngushtohet hapësira për të ndikuar në drejtësi. Në anën tjetër,do të hapet mundësia që të hetohen të gjithë kleptokratët që janë pasuruar brenda natës, pavarësisht nga pozita shoqërore dhe politike”, ka thënë tutje ai.
Beqaj, duke folur rreth qeverisjes lokale dhe qendrore ka thënë se ishte kryeministri Isa Mustafa ai që vazhdimisht ka arsyetuar dështimet e qeverisjes qendrore me pengesat që i ka krijuar opozita. Ndërsa, është shprehur ai, dështimet e qeverisjes lokale kanë rezultuar me dështimet komunale në arsim, infrastrukture dhe politizime bordesh.
“Qeverisja qendrore dhe lokale, kanë qenë nën pritjet dhe mundësitë objektive të qytetarëve me specifika të caktuara varësisht nga potencialet dhe varësisht nga udhëheqësit. Fjala bie,kryeministri dështimet e pushtetit qendror i ka “arsyetuar” me pengesat që i ka krijuar opozita. Ndërsa, qeverisjet lokale kanë pasur probleme të natyrave të ndryshme duke nisur nga kryetarët që janë nën hetime, me aktakuza deri te kryetarët pa aftësi menaxhuese që është reflektuar me dështime në arsim parashkollor,komunale,higjienë,ambient kanalizim,trafik…dhe politizime të bordeve”, ka thënë Beqaj.
Ai është shprehur se qytetarëve ju intereson një ligj i tillë dhe nëse legjislatura e tanishme e aprovon, atëherë edhe pushteti i ardhshëm do ta ketë një bazë ligjore për ta luftuar edhe më shumë krimin dhe korrupsionin. (Indeksonline)