Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit ka miratuar me 4 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim në parim Projektligjin për Amnistinë, raporton Ekonomia Online.
Projektligji amniston deputetët e akuzuar për gjuajtje të gazit lotsjellës në Kuvend prej 25 gushtit 2015 deri më 10 maj 2017.
Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, tha se nuk do ta mbështesin këtë ligj sepse sipas saj i bie konflikt interesi me kundërshtimin e ratifikimit të demarkacionit më 2015 e në vazhdimësi.
“Nëse merremi me këtë çështje, i bie konflikt interesi dhe abstenoj”, ka thanë Haxhiu.
Bilall Sherifi, anëtar i komisionit nga Nisma për Kosovën tha se pavarësisht se ishin pjesë e hedhjes së gazit lotsjellës më 2015, do të votojë pro nëse edhe LVV-ja do votojë pro.
“Ky ligj kur është filluar ka pas për qëllim që të arrijë një tejkalim të situatave që ka qenë e acaruar në periudhën kur opozita kundërshtonte në atë kohë marrëveshjen për demarkacionin dhe asociacionin, kemi konsideruar që ato kanë kaluar dhe për këtë kam mbështet këtë ligj që të procedohet. Gjatë ushtrimit të asaj ‘protestë’ opozitare, është shkelur ky ligj”.
“Përmes ligjit për amnisti mund të mendojmë që atë situatë e kemi kaluar. Për të realizuar një funksion politik në të mirë të vendit, kemi bërë një faj, të cilin mund ta kalojmë vetëm përmes këtij ligji. Nëse del dikush dhe thotë se nuk dua të mbështes një ligj të tillë sepse nuk ndihem fajtor për atë që kemi bërë për më ndal një proces për të mirën e vend, atë herë edhe ne si nismë do mbështesim, nuk do të votojmë pro, por do votojmë në bazë të asaj si voton PDK, LDK apo edhe VV”.
Hajdar Beqa, anëtar i komisionit nga PDK-ja, tha se forma më e mirë dhe e vetme për mos u dënuar deputetët për veprimet e tyre është ligji për amnistinë.
Ai tha se për tu liruar deputetët nga akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës më 2015 e deri më 2018 duke kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit duhet që amendamenti ku përcakton periudhën e amnistisë duhet të përfshijë edhe vitin 2018 ku u hodh gazi lotsjellës.
“Ky ligj ka të bëjë Për veprat penale që janë bërë lidhur 25 gusht 2015 deri më maj 2017. Deri më mars 2018, deri në ditën kur ka kaluar demarkacioni. Propozoj që amendamenti të zgjatet ehe për periudhën mars 2018 ku përsëri u hedh gaz lotsjellës. Forma e vetme mos me u dënuar deputetët është ky ligj”.
Sami Kurteshi, nga LVV-ja, tha se Ligji për amnistinë nuk do arrijnë synimin që e ka, sepse sipas tij, çdo marrëveshje që vjen në Kuvend jo e mirë për Kosovën përsëri do kundërshtohet në forma të ndryshme.
“Ky ligj nuk ka me arrit synimin që e ka, atëherë kanë qenë në kuvend dy marrëveshje të kundërshtuara. Nëse Kuvendit i vjen përsëri një marrëveshje apo ligj për krijimin e bashkësisë së komunave serbe që është më i rrezikshëm se demarkacioni nuk mendoj se gjithë deputetët e kuvendit do ta pranojnë me aq lehtësi. Forma e përdorimit të gazit lotsjellës, nuk është formë demokratike. Nëse amnistia jepet për faza ku konfliktet kanë kaluar, kryesisht bëhet në rastet kur konflikti mbetet ende. Nuk e di a do arrijë qëllimin e vet deri në fund”.
Korab Sejdiu, nga LDK-ja, ka theksuar se GP i LDK-së nuk e mbështet Ligjin për amnistinë sepse duhet të sqarohet neni 75 i Kushtetutës ku përfshihet imuniteti për veprimet e deputetëve që sipas tij, nuk janë të përcaktuara qartë veprimet që lejohen dhe jo.
“Kundërshtojmë kalimin e këtij ligji, konsiderojmë se nuk është mënyrë e duhur për të trajtuar këtë çështje. Nevoja e jashtëzakonshme të sqarohet neni 75 i Kushtetutës, se deputetët gëzojnë imunitet brenda veprimeve të tyre, fjala veprime duhet të sqarohet”.
Albulena Haxhiu bashkë me Albin Kurtin, Donika Kadaj-Bujupin dhe Faton Topallin më 3 janar 2018 u dënuan me burgim me kushte për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Procese tjera ndaj deputetëve për hedhje të lotsjellësit në Kuvend janë duke u zhvilluar.
Edhe në vitin 2013 Kosova kishte shpallur amnisti, pasi projektligji për të ishte miratuar në Kuvend.