Komisioni për Buxhet dhe Financa me 6 vota për dhe një abstenim ka miratuar raportin vjetor financiar të Bankës Qendrore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se përmbyllja e vitit 2018 në aspektin financiar ka qenë e suksesshme.
Mehmeti tha se Raporti tregon se aktivitetet e sistemit financiar kanë treguar një rritje, derisa shton se edhe raporti i Auditorit ka dhënë një rezultat pozitiv për qeverisjen e Bankës Qendrore të Kosovës, për vitin 2018.
“Nga raporti shihet që BQK-ja ka arritur me sukses të përmbyllim me sukses vitin 2018. Raporti tregon se aktivitetet e sistemit financiar kanë treguar një rritje. Një ndër faktorët kryesor që kanë treguar rritje është edhe rritja e kreditimit. Raporti pasqyron aktivitetin mbikëqyrës dhe financiar ku është arritur një kapacitet i lartë në të gjitha fushat. Kemi arrit të kemi një numër shumë më të madh të informatave si rezultat i mekanizmave informuese që kemi. Raporti i Auditorit ka potencuar një qeverisje të mirë të BQK-së për vitin2018. Nga diagnostifikimi i gjendjes vlerësohen lartë të arritura në aspektin financiar”, tha Guvernatori.
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, tha se në raportin e sjellë nga BQK-ja, shqetësues është fakti i deficitit tregtar dhe borxhit publik.
Sipas tij të dy këto kategori kanë treguar raporte të zeza.
“Raporti konfirmon nivelin e rritjes ekonomike 4 për qind e që është gjysmë për gjysmë më i ulët se plani i Qeverisë ku parashihej që rritja të ishte nga 8-9 për qind.
“Shqetësues është deficiti tregtar dhe borxhi publik. Këto kategori kanë treguar raporte të zeza, ku për herë të parë në Kosovë deficiti tregtarë është rritur deri në 3 miliardë euro. Kjo tregon që brumi për zhvillim ekonomik në Kosovë është vështirë i gjindshëm. Investimet e huaja direkte kanë ra në 76 milionë euro më pak. Borxhi publik është rritur për 100 milionë euro. Po më duket se ka shumë rritje artificiale”, tha Abdixhiku.
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj, tha se Kosova ka nevojë me hy në borxhe, por që shqetësues është fakti se a po realizohen ato projekte për të cilat po hyhet në borxh.
“Unë mendoj që Kosova ka borxhin publik më të voglin nëse i shohim shifrat tjera në rajon. Ne kemi nevojë për projekte dhe kemi nevojë me hy në borxh, por ajo çka mu më shqetëson është se sa po realizohen këto projekte për të cilat na po hymë në borxh. Ne si komision s’kemi arrit ta bjëmë as Ligjin për Mikrofinanca, kemi ngritë debate, kemi bë politikë, por s’kemi mundur të bëjmë ligjin, zhurmë po bëjmë punë s’po mundemi me bë”, tha Hadërgjonaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, tha se bankat komerciale po e vështirësojnë shumë dhënien e kredive familjare. Sipas tij këto banka po merren vetëm me kreditë biznesore.
“Deficiti tregtar duhet të jetë shqetësues për neve se çka po ndodhë. Ka shumë çështje se s’po dimë qysh me mbrojt prodhimin vendor nga invazioni i shteteve të huaja, nëse ka deficit 3 miliard, atëherë ka po vjen ajo pare pasi Kosova nuk shtypë para, ne duhet të dimë se cilat janë burime tona dhe sa pare po na dalin prej Kosovës. Unë mendoj që duhet të kemi edhe një takim shumë serioz për mikrofinanca. Ka rritje të kredisë familjare pasi bankat komerciale e kanë vështirësuar shumë dhënien e kredisë familjare, bankat komerciale po merren vetëm me kreditë biznesore”, tha Rugova.
“Sa kemi migrim të kapitalit financiar, sa ka lëvizje këtu”, pyeti deputeti nga radhët e LVV, Sali Zyba.
“A mund të na tregoni si është gjendja në kompanitë private në lidhje me sigurimet shëndetësor”, pyeti Arbërie Nagavci.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se tek çështja e institucioneve mikrofinanciare do jetë çështje e njëjtë edhe në vitet e ardhshme pasi kjo në ligjin për mikrofinanca nuk janë të vendosura si duhet kriteret.
“Situata e njëjtë do përsëritet tek institucionet mikrofinanciare pasi që kemi një ligj të tillë, nëse vendosën kritere atëherë kjo çështje mund të rregullohet me ligj. Ka edhe institucione që nuk janë duke i zbatuar kushtet që janë kërku, ne si BQK kemi marrë masa për këtë. Ndër vite kemi marrë masa për sigurimet shëndetësore. Kreditë dhe depozitat diku 69 e për qind e kredive i shkojnë bizneseve ndërsa 31 për qind i shkojnë ekonomive familjare. Rritja ekonomike është 4 për qind është një ngritje solide, por edhe deficiti është shumë i lartë”, tha Mehmeti.