Me 74 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën e paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën i kërkon Qeverisë që ta pezullojë veprimtarinë e lojërave të fatit, deri në ndryshimin e ligjit, raporton Ekonomia Online.
“Pika e parë. Qeveria të nisë procedurat ligjore për pezullimit e lojërave të fatit deri në ndryshim të ligji. Dy, Qeveria brenda 30 ditëve të sjellë ligjin që ndalon lojërat e fatit”, ka thënë shefi i grupit parlamentare të LDK-së, Avdullah Hoti.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, poashtu i ka kërkuar Qeverisë ose nga Komisionet Parlamentare, të sjellin rezolutë për vendimmarrje për ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit, në Kuvend brenda 45 ditëve.
“Lojërat e fatit, mbyllja e tyre duhet të bëhet vetëm me nismë ligjore. Mund të propozohet nga Qeveria apo deputetët, nga komisionet e Kuvendit. Nëse ne jemi serioz me marr vendim, brenda 45 ditëve merret vendimi për ligjin e lojërave të fatit. Të jemi të sinqertë ndaj qytetarëve, boll i kemi mashtruar”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.
Me votimin e rezolutës, është mbyllur seanca e jashtëzakonshme.